Rritet numri i turistëve italianë në Shqipëri

Një numër gjithnjë e në rritje turistësh italian vizituan vendin tonë gjatë kësaj vere. Ndër ta janë edhe katër të rinj që zgjodhën të kalojnë pushimet e tyre si shumë të tjerë nga vendi fqinj përgjatë vijës bregdetare shqiptare duke nisur nga Durrësi deri në Sarandë. Të rinjtë kanë zgjedhur të njihen jo vetëm me plazhet shqiptare, por ata kanë vizituar edhe disa qytete për t’u njohur edhe me kulturën dhe historinë e vendit tonë. Konkretisht ata vizituan Gjirokastrën dhe Beratin, dy ndër qytetet muze të vendit tonë. Katër të rinjtë janë ndalur edhe buzë liqenit të Ohrit. Veç bukurive natyrore, apo çmimit të ulët të akomodimit dhe ushqimit, të rinjtë veçojnë edhe mikpritjen si një ndër arsyet që do të ftojnë edhe miqtë e tyre të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Vizita e tyre në vendin tonë është përcjellë përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi. “Eshtë fakt që një numër gjithnjë e në rritje turistësh italian vizituan vendin tonë gjatë verës. Edhe tur operatorë të rëndësishëm italian si ALPITOUR, këtë vit kanë përfshirë Shqipërinë në paketat e tyre turistike, duke nxitur rritjen e interesit për të vizituar vendin tonë”, shkruan Ekonomi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet