''Diplomati'', Super Torta!

Kremi diplomat përdoret mbi të gjitha për të përgatitur Tortën Diplomat (ose tortën me petë) e cila është e përbërë nga shtresa Petash #Sfoglia dhe #pandispanjë e mbushur me këtë krem (shpesh i aromatizuar edhe me liker) dhe e spërkatur me sheqer pluhur.

Kremi diplomat konsiston në bashkimin e dy nga kremërat me të përdorur për ëmbëlsira: Kremit të pastiçerisë (i përbërë nga qumësht, miell, vezë dhe sheqer) dhe Kremit shantili (i përbërë nga pana, sheqer pluhur dhe vanilje).

Receta e kremit Pastiçeri/ Përbërësit për 500gr krem pastiçeri:

500 ml. qumësht me yndyrë të plotë (2 gota mesatare)

2 lugë plot miell ose niseshte

6 lugë plot sheqer

6 të verdha vezesh

aroma: vanilje/lekure limoni/lekure portokalli

Fillimisht, vendosim qumështin për t’u ngrohur në zjarr të moderuar përveç një gotë e cila do të na nevojitet në një fazë të mëvonshme. E lëmë disa minuta mbi zjarr dhe më pas e heqim duke shtuar aromën e vaniljes apo aroma të tjera. Në një enë (joalumini) rrahim të verdhat e vezëve me sheqerin me ndihmën e një mikseri, shtojmë miellin, qumështin e ftohtë që kemi hequr mënjanë dhe vazhdojmë rrahjen. Këtë masë të përftuar ia shtojmë qumështit të ngrohtë në tenxhere duke vazhduar rrahjen me mikser edhe për disa çaste. (Kujdes! Nëse qumeshti nuk është i ngrohtë, e vendosim përsëri në zjarr.)

Vendosim në zjarr të ngadaltë të gjithë përbërjen duke e përzier herë pas here me ndihmën e një piruni apo teli për rrahje dhe e lëmë për pak minuta derisa masa të trashet dhe të mos jenë formuar kokrriza. E heqim nga zjarri dhe e lëmë kremin të ftohet duke e përzier herë pas here.

*Këshille: Nëse përdorni lëkurën e limonit apo të portokallit për të aromatizuar kremin, vendoseni këtë të fundit kur qumështi është akoma i ftohtë (në fillim) dhe hiqeni kur ai të jetë i vakët (në fund).

Nëse doni të evitoni formimin e një “shtrese” në sipërfaqen e kremit kur ky ftohet, mbulojeni me një letër celofoni apo me një pecetë të lagur apo hidhni pak gjalpë në sipërfaqe.

Receta e kremit Chantilly: Kremi u krijua nga francezi François Vatel në shekullin e XVII, është i përbërë nga pana e freskët e rrahur, vanilje dhe sheqer pluhur në raportin 5 pana dhe 1 sheqer. Duke qenë një nga kremërat më të përdorur në pastiçeri, përveçse përdoret i vetëm nëpër ëmbëlsira të ndryshme, shpesh bashkohet edhe me kremin e pastiçerisë për të formuar kremin diplomat. Përbërësit për 250 gr. krem chantilly:

250 ml. krem pana nga frigoriferi

50 gr. sheqer pluhur

1/2 lugë të vogël vanilje pluhur

Në një tas të madh, rrahim me ndihmën e një mikseri elektrik me shpejtësi maksimale kremin pana derisa të trashet. Shtojmë sheqerin pluhur të situr dhe vazhdojmë rrahjen derisa kremi të ketë arritur trashësinë e dëshiruar. Shtojmë së fundi edhe vaniljen pluhur dhe e rrahim për 3 apo 4 sekonda të tjera.

Kremi chantilly mund të përgatitet maksimumi një ditë përpara përdorimit, dhe të ruhet në frigorifer i mbuluar me letër celofoni. Nëse para përdorimit vëmëe re që nëe sipërfaqe të tij është formuar një lëng, pra është ndarë kremi nga uji, vazhdojmë rrahjen edhe për pak çaste derisa kremi të rezultojë homogjen.

Per torten diplomat:

2/3 Krem pastiçerie

1/3 Krem shantili

I bashkojmë të dy kremërat dhe e përdorim Kremin diplomat menjëherë. Në rast të kundërt, e ruajmë në frigorifer të mbuluar me letër celofoni për 2-3 ditë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet