Alarm në Qingdao. 2 punonjës të portit të infektuar me Covid-19. Produkte të ngrira me koronavirus nga Rusia në Kinë

Portet në provincën lindore Shandong, janë duke marrë masa shumë të forta mbi “bllokimin dhe transportin e ushqimeve të ngrira”, pasi dy pacientë që shfaqën probleme me frymëmarrjen dhe që kishin lidhje me transportimin e ushqimeve të ngrira, u zbuluan një ditë më parë në portin e qytetit Qingdao.

Autoritetet lokale kanë deklaruar se “ka nisur plani urgjent për kontrollin dhe testimin e mbi 20.000 punonjësve të portit, si përgjigje ndaj parandalimit të koronavirusit në qytetin bregdetar Qingdao”.

Të gjitha portet e provincës kanë nisur ndalimin urgjent për një afat të pacaktuar të produkteve të ushqimeve të ngrira, të cilat transportohen nga anije tregëtare. “Stafet të cilat merren direkt me punën e këtyre anijeve, do të jenë nën kontroll të rreptë duke iu matur temperatura dhe duke u kryer testi i tamponit çdo 5 ditë. Provinca e Shandong do të koordinojë punën me departamentet e shëndetësisë dhe departamentet e kontrollit të hyrje-daljeve të transportit të ushqimeve të ngrira si dhe kontaktet e ngushta të punonjësve”.

Menjëherë pas informimit se dy punonjës të portit, 40 dhe 45 vjeç, janë të dyshuar se janë infektuar me Covid-19, autoritetet kanë futur në karantinë të plotë mbi 147 persona të cilët kanë patur kontakt me dy të dyshuarit për kontroll mjekësor. Deri tani, të gjithë personat e kontrolluar kanë rezultuar negativë ndaj koronavirusit.

Produktet ushqimore detare vinin të transportuara nga dy anije ruse. Rojet e kontrollit shëndetësor në këtë port por edhe në porte të tjera të vendit, kanë deklaruar se “koronavirusi është zbuluar në pakot e shumë produkteve detare të ngrira, të cilat janë bllokuar menjëherë. Nga të gjitha 1.440 testet e kryera, 51 prej tyre kanë rezultuar pozitive”.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet