401 milionë euro investime austriake në vend

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka zhvilluar këtë të martë një takim me sipërmarrjen austriake në vend, ku i ka ftuar biznesmenët të investojnë në Shqipëri. Ai tha se interesi i Austrisë është rritur dhe kjo dëshmohet në shifra. Po përveç` austriakëve, ministri i ekonomisë theksoi se interesi për ekonominë shqiptare është rritur. Ai i bëri një “sfidë” ambasadorit austriak ku tha se nga Italia patëm delegacionin më të madh me 220 kompani, 17 miliardë euro xhiro.

“Faleminderit gjithkujt prej jush që ka ardhur sot nga Austria, apo që është tashmë këtu në Shqipëri duke punuar me ne. Është një kënaqësi e madhe të shikosh që interesi ekonomik i Austrisë është rritur. Kam sjellë një shifër modeste, por një shifër që ka ndryshuar në dy vitet e fundit. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Austria është rritur nga 365 milionë euro në 401 milionë euro. Është modeste, por definitivisht është rritje organike vit pas viti dhe jam i sigurt se prezenca e kompanive sot këtu, siç e përmendët dhe ju, kompani të reja, definitivisht do të sjellin investimeve të huaja direkte të reja nga Austria. Interesi për ekonominë shqiptare është rritur. Po ju sfidoj juve Piter dhe z. Ambasador: dje ne patëm një delegacion italian shumë të madh, 220 kompani, 17 miliardë euro xhiro. Ju lutem sillni në Shqipëri 221 kompani austriake dhe 17 miliardë e 1 euro, për të mundur italianët”.

Ministri deklaroi se kjo është një stinë shumë e rëndësishme për vendin pasi po presim hapjen e negociatave.

“Nuk po e ndryshon vendin në një ditë, do të duhen ditë, do të duhen javë, do të duhen vite, por ne jemi përpara një hapi shumë të rëndësishëm: hapja e negociatave. Dhe, unë falënderoj shumë qeverinë austriake dhe të gjithëve ju që na mbështesni për gjatë gjithë rrugës. Kjo është një stinë shumë e rëndësishme për ne. Ne jemi të përgatitur për sfidat. Kemi nevojë për shumë suport dhe për shumë ndihmë. Ne nuk jemi të përsosur, por ne jemi europianë dhe jemi duke përmirësuar çdo ditë”, mbylli fjalën e tij ministri.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet