BB: rritja ekonomike në Shqipëri krijoi vende të reja pune

Rritja ekonomike në Shqipëri u forcua dhe arriti në 3.8% në vitin 2017, duke mbështetur edhe krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë.

Kështu u theksua sot në konferencën për shtyp në prezantimin e “Raportit të 13-të ekonomik dhe rajonal”, ku u nënvizua se rritja ekonomike u forcua nga 3.4% në 2016 në 3.8% në 2017, edhe si rezultat i investimeve dhe konsumit më të lartë dhe mjedisit të jashtëm favorizues.

“Ritmet e rritjes pritet të ngadalësohen në 3.6% në vitin 2018, për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjetike të financuara nga IHD-të. Megjithëse borxhi publik ra në 2017, ritmi i konsolidimit fiskal u ngadalësua”, bëhet e ditur në raport.

Sipas raportit, në Shqipëri borxhi publik u ul me 1.4% të PBB-së duke arritur në 71 përqind të PBB-së, pasi vendi arriti në balancë primare pozitive.

Në raport thuhet se “perspektiva ekonomike është pozitive, por rritja e qëndrueshme ekonomike ka nevojë për reforma strukturore. Ndërsa sektori i shërbimeve dha kontributin më të madh në hapjen e vendeve të reja të punës gjatë vitit 2017”.

E pyetur nga gazetarët për projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim tha se “janë një pjesë e rëndësishme e planeve, megjithatë është e rëndësishme që të sigurohemi që të fuqizojmë trasparencën për menaxhimin e tyre”.

Ajo tha se duhet shfuqizuar mënyra si merren PPP-të dhe për këtë ministria e Financave luan një rol të rëndësishëm”.

Përsa i përket TVSH për biznesin e vogël, ekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku tha se nuk ka asnjë vlerësim se çfarë efekti do të ketë TVSH-ja tek biznesi i vogël por që do të monitorohet.

“Përsa i përket efekteve sociale dhe të punësimit mbi biznesin e vogël ajo është një gjë që ngelet për tu monitoruar”, nënvizoi ajo.

Dhe në këtë stad, tha Shijaku, nuk kemi një vlerësim se çfarë impakti do të ketë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet