Emigrantët i dërgojnë paratë në Shqipëri përmes kanaleve informale

Emigrantët zgjedhin rrugët informale për të sjellë para në vendin tonë. Kështu ata shmangin bankat dhe agjencitë e tranfertave. Kjo për shkak të kostove të larta që ka Shqipëria për transferimin e parave. I shqetësuar për këtë fakt, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, ngriti alarmin gjatë nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për remitancat ndërmjet Bankës së Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sejko tha se studimet më të fundit tregojnë se dominuese janë kanalet formale të dërgimit, kryesisht përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash, e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash, e cila meriton një analizë të thellë. “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive”, tha Sejko. Guvernatori apeloi gjithashtu për reduktim të kostove të tranfertave.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet