INSTAT: Sektori i ndërtimit dhe turizmit në rritje, tregtia në rënie

INSTAT ka publikuar sot statistikat afatshkurtra për aktivitetin e shërbimeve dhe prodhimit për tremujorin e tretë të këtij viti. Nga të dhënat rezultohet që sektori që vazhdon të shënojë rritje është ai i turizmit. Ndërkohë që vërehet një rënie në sektorin e tregtisë gjithashtu edhe në sektorin e telekomunikacionit. Më poshtë janë të dhënat për çdo sektor.

Treguesit kryesorë tremujorë mbi shërbimet, përfshijnë aktivitetet ekonomike: tregti, transport, magazinim dhe postë; hotele; informacioni dhe komunikacioni; aktivitete të arkitekturës dhe inxhinierike dhe agjenci udhëtimi. Në sektorin e tregtisë, indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 1,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 0,2%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në aktivitetin transport, magazinim dhe posta, i cili përfshin transportin hekurudhor të mallrave, detar, ajror, magazinimin dhe aktivitetin postar, në tremujorin e tretë 2017, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 4,5%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rënie 2,6%.

Në sektorin e hoteleve, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 17,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 2,5%. Në aktivitetin informacion dhe komunikim, i cili përfshin aktivitetin e publikimit, telekomunikacionit si dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, Indeksi i shitjeve neto në volum u ul 2,2%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 3,3%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në aktivitete arkitekture dhe inxhinierike, i cili përfshin aktivitete arkitekturore dhe inxhinierike, aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 13,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 4,9%.

Në aktivitetin agjenci udhëtimi, Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit 24,4%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 19,4%.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet