Lehtësira fiskale për hotelet luksoze, nxitje për ivestitorët

Për të nxitur investitorët për shuma të mëdha, qeveria ka parashikuar të ndërmarë lehtësira fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje. Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i cili ishte dje i pranishëm në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku u diskutua kjo çështje, investitorët në strukturat akomoduese me 5 yje do të përfitojnë nga paketa e plotë.

“Për sa i përket diferencës ndërmjet 4 dhe 5 yjeve, taksën e tatim fitimit të dyja grupet e hotelerisë do ta përfitojnë. Për sa i përket reduktimit të TVSH-së me 6 %, hotelet me 4 yje nuk e përfitojnë, e përfitojnë vetëm si hoteleri, por nuk e përfitojnë për menaxhimin e brendshëm, ndërkohë që ata me 5 yje e përfitojnë. Ndikimin në infrastrukturë hotelet me 4 yje nuk e përfitojnë, hotelet me 5 yje e përfitojnë. Taksën e pasurisë e përfitojnë të dyja grupet e hotelerisë”, deklaroi Klosi. Ndërkohë relatorja e këtij projektligji, Eglantina Gjermeni, theksoi se kjo nismë do të tërheqë ivestitorë në fushën e turizmit. Kështu do të ketë më shumë turistë, më shumë mundësi punësimi dhe do ta zhvillojë turizmin si një ndër degët kryesore të ekonomisë në vend.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet