Majko: të rishikohet rritja e pensioneve, 10% nuk mjafton

Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në seancën e djeshme parlamentare në diskutimet e buxhetit 2018 ka kritikuar qeverinë për skemën e pensioneve. Majko është ndalur gjatë tek pensionistët, ku ka përmendur rritjen me 10%, që sipas tij nuk është e mjaftueshme. Ministri e financave, ka thënë Majko, duhet ta rishohë edhe një herë skemën e pensioneve, pasi ky 10% shton thjeshtë një kofshë pule në tryezën e të moshuarve. “Mbase është momenti që në këtë drejtim ne të shkëputemi pak nga teknika e përqindjeve, pasi tek pensionistët kjo nuk është vetëm çështje përqindjesh. 10-ta duket e bukur për ata që kanë rroga të mëdha, por për pensionistët nuk është ndonjë zhvillim kush e di se çfarë. Tani 10% e pagës sonë i thonë një darkë, 10% e pagës së një pensionisti i thonë një kofshë pule, për të mos thënë nga ata këmbët e pulës përpara. Është një moment të cilën dëshiroja ta ngrija me dashamirësi, sidomos karshi përfaqësueseve të Ministrisë së Financave, me qëllim që çështja e përqindjeve, sidomos përsa i përket rritjes së pensioneve të shikohet pak më ndryshe nga logjika dhe këndvështrimi i pensioneve”, ka deklaruar Majko.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet