Ministria e Financave vlerëson bashkitë në vend, Kamza e para në listë

Ministria e Financave ka bërë një vlerësim në lidhje me bashkitë në të gjithë vendin, duke i renditur ato nga bashkia me performancën më të mirë tek ajo më e dobët. Vlerësimi është kryer në bazë të 15 kritereve, ku çdo kriter ka 30 pikë. Kriteret e vlerësimit ishin: Dërgimi në kohë i faturave për pagesë në degën e thesarit; Numri i kontratave të anuluara gjatë vitit buxhetor; Numri i urdhër-shpenzimeve të refuzuara nga Thesari; Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar; Urdhër-prokurimet e paautorizuara; Mjedisi i kontrollit; Menaxhimi i Riskut; Aktivitetet e kontrollit; Informimi dhe komunikimi; Monitorimi; Përgatitja e audituesve të brendshëm; Raportimi në kohë i Audituesve; Monitorimi i pyetësorit të vetëvlerësimit të audituesve të brendshëm; Cilësia e raportimit të audituesve të brendshëm: Pozicione aktuale të auditimit të brendshëm të paplotësuara. Pikët janë nga 0-450 pikë.

Bashkia e Kamzës është vlerësuar me 440 pikë nga 450 pikë maksimale të mundshme, duke treguar për një performancë të shkëlqyer të kësaj bashkie dhe u renditur në vendin e parë. E dyta është Bashkia e Shkodrës (430 pikë), e ndjekur nga ajo e Patosit (425), e Vorës (415), më pas vijnë Durrësi (405 pikë), Elbasani (400 pikë), Memaliaj (395 pikë). Ndërsa bashkia e Tiranës, u rendit e teta, me 391 pikë. Bashkia e kryeqytetit e ka vlerësimin më të ulët në treguesin e menaxhimit të riskut, me 10 pikë, nga 30 që është vlerësimi maksimal dhe aktivitetet e kontrollit me 20, ndërsa në treguesit e tjerë ka marrë përgjithësisht vlerësimin maksimal me 30 pikë. Bashkia e Shijakut dhe ajo e Tropojës morën vlerësimin më të ulët të performancës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet