Përmbytje që ekspozojnë abuzimet 25 vjecare

Nga Shpëtim LUKU

Ura që lidh Qafë Shtamën me Krujën e për pasojë edhe me kryeqytetin e zona të tjera të vendit është shembur. Edhe ura e Drojes po ashtu. Janë shembur edhe mjaft ura të tjera. Të vendosura ne kontekstin e përmbytjeve masive që kanë ndodhur në mbarë vendin ato tingëllojnë si disa dëme më shumë në inventarin kombëtar të dëmeve. Mirëpo, krahasuar me dëmet në zona të tjera të vendit që janë shkaktuar deri diku nga fatkeqësi natyrore sikurse janë vërshimi i lumenjve Vjosë, Osum, Seman, Erzen etj, shembja e këtyre urave të vogla, por shumë të nevojshme për qytetarët është dëshmi e një skandali të madh. Sepse këto ura, janë rikonstruksione, për të cilët janë investuar miliona euro nga qeveria dhe ato nuk u bënë pre e ndonjë sulmi lumenjsh të terbuar.

Këto ura modeste shërbenin vetëm si mbikalim mbi përrenj modestë e po qe se “egërsimi” i një përroi apo edhe rrjedhjet e ujit nga faqet e malit kanë statusin e një “fatkeqësie natyrore”, atëhere kjo do të thotë se asnjë rrugë në territorin malor të Shqipërisë nuk duhet ndërtuar. Por në të vërtetë egërsimi i përronjve dhe rrjedhjet anësorë të ujit nga skarpatetet e maleve thjesht ekspozojnë një punë të dobët të kryer gjatë rikonstruksionit të rrugës. Dhe tashmë që urat dhe pjëse janë prishur vetëm pas tre viteve, i mbetet atyre që kanë patur nevojë për këto ura dhe këto rrugë të vuajnë pasojat. Dhe viktimat janë qytetarë të thjeshtë, të cillët përvec halleve të zakonshme duhet të përballojnë edhe halle specifike, biznese të këtyre zonave, të cilët kanë humbur mundësinë e kontaktit me tregjet për produktet e tyre etj etj.

Pavarësisht se zakonisht në raste të tilla si ato të përbytjeve të sivjetshme, por edhe viteve të tjera dominon një atmosferë emotive solidariteti, ky fakt nuk ka pse të heqë mundësinë e të vështruarit kritik. Pasi rituali i punëve të dobëta e pa cilësi ka vazhduar përgjatë gjithë viteve të tranzicionit shqiptar ky gjysma e parave të fondeve të destinuara për investimeve publike kanë përfunduar padrejtësisht në xhepat privatë. Nëse korrupsioni në Shqipëri ka qenë në nivele kaq të larta, një “meritë” të madhe për këtë ka keqpërdorimi I fondeve për investime publike.

Nëse i hedh një sy rrjetit rrugor shqiptar që mbahet edhe si adresa kryesore ku ka shkuar shumica e fondeve publike gjen rrugë pa standarte, të pambaruara, por të raportuara si të tilla, rrugë që edhe pse kanë pak vite që kanë përfunduar në fakt duken sikur janë bërë para një shekulli. Në evidencat e zyrtarëve figurojnë qindra milionë euro të destinuara për rehabilitimin e infrastrukturës bijqësore sic janë kanalet kulluese dhe ujitës, mirëpo fakti është paradoksal: përmbytjet shtohen, në vend që të pakësohen. Dhe si për ta vërtetuar shkencërisht lidhjen korrelative të cilësisë së investimit me efektin pozitiv të tij, edhe në përmbytjet e këtyre ditëve u shfaqën raste positive. Psh Kavaja nuk u përmbyt, Tirana pati një përmirësim të ndjeshëm sa i takon këtij aspekti, pikërisht prej investimeve në pikat kritike, Divjaka po ashtu. Ndaj dhe situata është e tillë, dramatike, shpesh edhe tragjike, ku mjafton vetëm një trill i zakonshëm natyror dhe urat apo rrugët zhduken sikur të mos kenë egzistuar kurrë.

Një raport i fundit i Bankës Botërore të pak kohëve më parë nënvizonte një kontradiktë rreth faktit që Shqipëria ka shpenzuar përgjatë viteve më shumë fonde nga të gjithë vendet e tjera në infrastrukturë( në përqindje ndaj PBB-së), por ka insfrastrukturën më të prapambetur, me përjashtim të një vendi afrikan. Ky fakt kaloi pa zhurmë e debat, por në të vërtetë tek kjo kontradiktë fshihen edhe abuzimet gjigande që janë bërë ndër vite me investimet publike. Tek kjo kontradikte duhet gjetur shkaku dhe shpjegimi pse veprat publike shqiptare janë kaq jocilësore, kaq të ekspozuara karshi “presionit” më të vogël natyror, kaq pa standarte.

Tek shumat e vjedhura sistematikisht ndër vite nga politikanë e kompani që kanë punuar për konkretizimin e projekteve duhet kërkuar arsyeja pse ne vuajmë kaq shpesh e kaq dramatikisht pasojat. Pse rrugët tona janë burim aksidentesh, pse veprat tona publike pak pasi mbarohen duken sikur kanë vite të tëra që janë ndërtuar pasi janë të amortizuara moralisht, estetikisht dhe fizikish. Kjo e shpjegon faktin që edhe pse janë shpenzuar miliarda euro, të financuara nga buxheti apo të siguruara nga borxhi publik, sërish Shqipëria është një vend pa asnjë problem të zgjidhur njëherë e mirë. Nuk ka të zgjidhur as rrjetin rrugor, as problemin e ujit dhe të energjisë, as sistemin e kanalizimeve dhe të ujitjes së bujqësisë, as turizmit etj etj Këtu duhet kërkuar shpjegimi, në të kundërt, nëse habitemi, atëhere kjo është thjesht një habi injoranti, që nuk shërben, por vetëm e justifikon realitetin dramatik.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet