Praktiker Albanien mbylli biznesin në Shqipëri, gjykata firmos pas 5 vitesh

Praktiker Albanien kompania gjermane e cila kishte hapur një hipermarket në Shqipëri, mori 'Ok' për falimentin nga Gjykata pas 5 vitesh, gjyq ne Gjykatën e shkallës së parë. Me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Gjykata e Tiranës nisi në 2013-ën proçedurat e falimentimit. Gjykata njofton se pasi e shqyrtoi çështjen dhe u njoh me provat shkresore të paraqitura nga kërkuesi dhe ndërhyrësi kryesor, e dëgjoi pretendimet përfundimtare të palëve të cilët në përfundim të gjykimit, mori vendimin e mbylljes së çështjes së falimentit. Sipas vendimit, pasi përshkruhet e gjithë veprimtaria e kompanisë para dhe pas shpalljes së falimentit, kërkesat e kreditorëve dhe të tjera çështje të rishikuara ndër vite, Gjykata konkludon se shkaku real për hapjen e procedurës së falimentimit “është në kushtet e paaftësisë paguese dhe të mbingarkesës me borxhe”.

Nga ana tjetër, në vendimin final të Gjykatës jepen edhe njëherë masat e shpërblimeve të kërkesave të kreditorëve ndër vite.

Në seancën gjyqësore të datës 02.03.2018, administratorja e falimentit i kërkoi gjykatës mbylljen e proçedurës së falimentit të shoqërisë “Praktiker Albanien” sh.p.k. dhe shpalljen e kësaj shoqërie si të falimentuar, ndërkohë që përfaqësuesja e ndërhyrësit kryesor i kërkoi gjykatës që të mos pranohej kërkesa e bërë nga administratorja e falimentit për mbylljen e procedurës së falimentit të shoqërisë Praktiker Albanien” shpk dhe shpalljen e kësaj shoqërie si të falimentuar, pasi shoqëria “Prespa Invest” sh.p.k. me cilësinë e kreditorit të shoqërisë “Praktiker Albanien” sh.p.k., është duke ndjekur në Gjykatën e Apelit Hamburg çështjen civile, që ka të bëjë me pretendimet kundrejt “mëmës” së Praktiker Albanien, shoqërisë “Praktiker International GmbH “.

Gjykata, vendosi që të mos e pranojë këtë pretendim të ndërhyrësit kryesor, pasi ky pretendim në lidhje me gjykimin që po zhvillon ndërhyrësi kryesor me shoqërinë mëmë të shoqërisë Praktiker Albanien, “Praktiker International GmbH” , është ngritur edhe në fazën e parë të hapjes së procedurës së falimentit dhe është shqyrtuar nga gjykata në seancën e datës 29.12.2014 , por nuk është marrë parasysh dhe është vendosur mospranimi i kërkesës së tyre .

“Nga gjithë sa më lart arrihet në përfundimin se me kryerjen e shpërndarjes së fundit kreditorëve të falimentit të shoqërisë «Praktiker Albanien» sh.p.k, mbyllet procedura e falimentimit dhe shoqëria «Praktiker Albanien» sh.p.k, është një shoqëri e likuiduar për shkak falimenti dhe si e tillë duhet të çregjistrohet nga regjistri tregtar pranë Q.K.B.-së si dhe në pasojë nga të gjitha organet e tjera, në të cilat është e regjistruar.”- citohet në vendimin e Gjykatës. /Monitor/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet