Europol operacion ndërkombëtar për trafikimin e armëve, pjesë edhe Shqipëria

Europol ka finalizuar me sukses operacionin ndërkombëtar kundër trafikimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, i nisur që në muajin shtator. Pjesë e këtij operacioni, ishin 10 vende të BE-së, dhe 8 shteta të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Operacioni i koduar ‘Calibre’ ka nisur në shtator të vitit 2017 dhe arriti kulmin me një veprim të përbashkët dy-ditor në datat 17-18 Nëntor 2017, i koordinuar nga Qendra Operacionale e Europolit në Hagë, gjatë së cilës u kryen kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga rezultatatet përfundimtare u konfiskuan mbi 135 armë zjarri dhe 7 000 municione. U arrestuan 18 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor për veprat penale në lidhje me armët e zjarrit dhe eksplozivët si edhe 81 individë u penguan të hynin ilegalisht në BE. Përveç kësaj, u identifikuan edhe 37 raste të cilat kishin kaluar afatet e qëndrimit.Në këtë opercion morën pjesë: Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Bullgaria, Greqia, Rumania, Spanja, Hungaria, si dhe Zvicra, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Njësia ATF e SHBA-së, Europol dhe Frontex.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Britaninë e Madhe u vendosën 4 zyra lëvizëse të Europol, duke mundësuar në kohë reale shkëmbimin e informacionit dhe duke analizuar dhe kontrolluar të dhënat e mbledhura. Operacioni ‘Calibre’ është pjesë e operacionit ‘Dragon’, i cili është i katërti event i Ditëve të Përbashkëta të Veprimit të organizuara në të gjithë BE-në, që zhvillohet brenda Ciklit të Politikave të BE-së për krimin e organizuar ndërkombëtar dhe krimet e rënda, i cili u zhvillua në kuadrin e EMPACT për armët e zjarrit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet