Kthehet për pushime në atdhe, vritet. Mister motivet

Një 36 vjeçar nga qyteti i Vlorës u vra mbrëmjen e të mërkurës, ndërkohë që mbeten ende mister motivet e kësaj ngjarjeje. Reagim Meli, ose Andrea Billa (emri i ndryshuar për dokumentat e qëndrimit në Greqi), u qëllua rreth orës 21.40 të të mërkurës, në afërsi të banesës së vet, pranë godinës së Shërbimeve Sociale të qytetit, në lagjen “Rilindja”. Viktima po kthehej në banesë me autoveturë, ndërkohë që është qëlluar në kokë dhe pjesë të tjera të trupit me katër plumba pistolete në momentin që do të zbriste nga automjeti, ku mendohet se ndodhej i vetëm, duke ndërruar jetë menjëherë për shkak të plagëve të rënda. Mësohet se, për mjaft vite 36 vjeçari, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, ka qenë emigrant fillimisht në Greqi, ku ka ndryshuar edhe emrin dhe më pas në Spanjë. Ai ishte kthyer nga vendi iberik në prag të festës së Vitit të Ri, për të kaluar pushimet pranë familjes.

Gjatë hetimeve të para, policia ka sekuestruar në vendngjarje 4 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm, ndërkohë që janë ngritur pika kontrolli në të gjithë qarkun e Vlorës. Gjatë orëve të natës janë shoqëruar 9 persona në ambientet e Drejtorisë së Policisë Vlorë, me të cilët po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet