Në mëngjes, arrestohet shoferi i dehur i autobusit urban

Rrugorët e Tiranës nuk i kursjen gjobat ndaj shoferëve në fundjavë

Policia Rrugore e Tiranës nuk i ka ndalur kontrollet për drejtuesit e automjeteve të transportit urban edhe në këtë fillim jave, pas ankesave të shumta të qytetarëve. E madje që në orët e para të mëngjesit, policia ka konstatuar një drejtues autobusi të linjës Tufinë-Qendër i cili drejtonte autobusin në gjendje të dehur, ku testi i parë rezultoi 0.56 mg/l dhe testi i dytë 0.66 mg/l.

Drejtuesi i autobusit Besnik H, 52 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në kushtet e flagrancës për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Edhe gjatë fundjavës Policia Rrugore ka konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor; si drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara në autostradë e në qendrat e banuara, mosvendosje të rripit të sigurimit , për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për shkelje të semaforit, për mosshlyerje të masave administrative, e shkelje të tjera.

Gjatë fundjavës janë arrestuar 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ku një drejtues mjeti shtetasi J.M, u ndëshkua për 6 shkelje njëherësh, konkretisht: Nuk i bindet shenjës së ndalimit të punonjësit të policisë, nuk rregullon shpejtësinë veçanërisht në qendrat e banuara, vazhdon lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë, rezultoi nën efektin e alkoolit ku testi i parë 0.70 mg/l testi i dytë 0.65 mg/l, mjeti me xhama të errësuar si dhe debitor me një masë plotësuese të pashlyer.

Janë tërhequr 75 patenta. Ndërkohë që po gjatë fundjavës janë vendosur 1751 masa administrative, për mosvendosje të rripit të sigurimit, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe për parakalim të gabuar, apo edhe për shkelje semafori.

Policia Rrugore e Tiranës, do vijojë në mënyrë të pandërprerë kontrollet "Blic" dhe të përqëndruara në të gjitha rrugët e Tiranës, duke përdor mjetet logjistike Drager e Radar, si dhe do vijojë kontrollet në brendësi të lagjeve të qytetit për t'ju ardhur në ndihmë banorëve të cilët kanë shprehur shqetësim për parkimet e gabuara, për mjetet e lënë në rrugë për një kohë të gjatë etj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet