Çfarë lexojnë shqiptarët gjatë verës ?

Numri i lexuesve shqiptarë po vjen gjithmonë e në rënie. Aq më pak që tashmë jemi në stinën e verës dhe plazhi përbën aktivitetin kryesor të ditës. Megjithatë nostaligjikët e librit vazhdojnë të ruajnë ende pasionin e të lexuarit, madje disa prej tyre lexojnë edhe duke marë rreze në shezlong. Rënien e lexuesve e konfirmojnë edhe librashitësit, të cilët shprehen se ulja e interesit për librin ka ulur dhe fitimet e tyre.

Shqiptarët janë një popull mjaft i interesuar pas historisë, shqiptare dhe asaj botërore. Këtë gjë e konfirmojnë edhe punonjësit e librarive. Sipas tyre po vërehet gjithmonë e më shumë një trend në rritje i librave historikë. Rekordin e mban libri ‘Lufta ime, Adolf Hitler’ e shkrimtarit Eher Ëerlag. Pas ndjek ‘Historia e Perandorisë osmane’, një botim i institutit të historisë turke. Sundimi 500 vjeçar osman la shumë element të kulturës dhe zakoneve turke në Shqipëri, gjë që shtyn lexuesin shqiptar të dijë më shumë rreth perandorisë së tretë më të madhe në historinë botërore. Gjithashtu interes tregohet edhe për librat historikë shqiptarë siç janë ‘Enver Hoxha’ dhe ‘Ahmet Zogu’, me autor gazetarin Blendi Fevziu. Librashitësit e shpjegojnë këtë edhe me marketingun e madh që i është bërë këtyre dy botimeve.

Përsa i përket romaneve, vazhdojnë ende të kryesojnë autorët e huaj. Edhe pse ka rreth 1 vit nga transmetimi i filmit ’50 hijet e Greit’, libri me të njëjtin titull vazhdon ende të jetë nga më të kërkuarit. Interes paraqitet edhe për autorin amerikan Jack London, me dy veprat e tij ‘Ujku i bardhë’ dhe ‘Thirrja e së keqes’. Kërkesa ka edhe për veprat ’20.000 lega nënë det’ dhe ‘Rreth botës për 80 ditë’, të shkrimtarit Jules Verne.

Për autorët shqiptarë, fokusi vazhdon të jetë tek Ismail Kadare, me veprat e tij më të njohura si, Kronikë në gurë’, Ura me tri harqe’, ‘Hija’, ‘Aksidenti’, apo dhe romani historik ‘Kështjella’. Megjithatë, librashitësit pohojnë se ky interes vjen padi veprat e Kadaresë përdoren së tepërmi si materiale shkollore. Gjithashtu kohët e fundit ka pasur kërkesa për librin e autorit Shpend Topollaj, ‘Ahu në mes të pyllit’, një vëllim i pasur me novella, ku shpalosen më së miri përipecitë e popullit shqiptarë dhe karakteristikat e tyre.

Përsa i përket librave për fëmijë, kryeson ‘Në mbretërinë e fantazisë’ e autorit Jeronim Stilton. Ky libër ka shitur 23 kopje për një kohë shumë të shkurtër. Tek autorët shqiptarë vazhdojnë të mbahen fort penat e vjetra si Gaqo Bushaka apo Tasim Gjokutaj. Ndër librat më të shitur të Bushakës mund të përmendim ‘Ariu artist’ dhe serinë e librave të ‘Çufos’, derrkucit dembel. Ndërkohë Gjokutaj vjen me ‘Keci që sbëri detyrat’ dhe ‘A do të vijë mamaja’, të cilët janë më të preferuarat për fëmijët. Një emër tjetër i njohur është dhe shkrimtarja Adelina Mamaqi, me veprat ‘Katër motrat stinë’ dhe ‘Lodërzat e alfabetit’.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet