A është Shqipëria destinacioni i ardhshëm i pushimeve bregdetare europiane?

Kur bëhet fjalë për udhëtime, pak vende kanë mbetur mister në Europën Perëndimore. Një kontinenti të tillë plot me turistë dhe vende turistike, pak qoshe të fshehura mund t’i kenë ngelur, sidomos qoshet në bregdet.

Nëse i hidhni një sy hartës, mund të vini re një xhep relativisht të panjohur. Shqipëria është si një pjesë e humbur e një mozaiku të plotësuar, pjesa e fundit e tokës përgjatë Adriatikut që nuk është kthyer në destinacion të madh turistësh për plazh.

Kjo ka një shpjegim. Pak më poshtë në jug, Greqia është po aq e njohur për evropianët, ndërsa Mali i Zi ka përparuar dekadën e fundit, duke vënë 295 kilometrat e saj të vijës bregdetare në dispozicion për një pushim të shkurtër buzë detit.

Pak më tej në veri, Kroacia duket se ka qenë në kokën e udhëtarëve për një kohë të gjatë. Bregdeti i saj i gjatë ka pritur vizitorë nga e gjithë bota.

Përkundrazi, Shqipëria është pothuajse e panjohur si vend që ofron pushime paketë, pavarësisht se 426 kilometrat e bregdetit të saj janë në një zonë më se të mirë. I pazakontë është fakti se kjo vijë bregdetare laget nga dy detet, Adriatiku dhe Joni. Ata bashkohen në zonën e “Ujit të ftohtë” në Vlorë, qytetin e tretë më të madh të vendit. “Ujin e ftohtë” dhe Puglian, në perëndim të Italisë, i ndan vetëm 96 kilometra det. Ky fakt vetëm sa i shton shkëlqimin këtij vendi ballkanik.

Duhet të shtojmë diçka. Pavarësisht se Shqipëria nuk është shumë e njohur si një vend që ofron pushime paketë, turistët shqiptarë janë të vetëdijshëm për përshtatshmërinë e vendit të tyre për turizmin njëjavor. Në Durrës dhe Sarandë ka shumë dhoma dhe shumë turistë që i rezervojnë. Por vetëm se mes tyre ka shumë pak britanikë.

Pse ndodh kjo? Ka disa arsye, por kryesorja ndoshta do të ishte aksesi. Në një kohë kur fluturimet e low-cost përshkojnë Evropën me rregullsinë e autobusëve në Londër, Shqipëria ka mbetur imune ndaj tyre. Për këtë ka disa arsye. Në kohën e këtij shkrimi, në Shqipëri ka vetëm një aeroport ndërkombëtar, ai i “Nënë Terezës”.

Ky aeroport gjendet 18 kilometra në veri-perëndim të Tiranës, por deri kohët e fundit, ka qenë më shumë një pengesë se sa ndihmë për këdo që dëshiron të vizitojë vendin. Edhe pse është modernizuar në vitin 2005, që nga viti 2001 e deri ne 2016-tën, përfituesi i një monopoli të sanksionuar nga qeveria e bëri atë aeroportin e vetëm shqiptar të lejuar për të pritur fluturime nga jashtë. Kjo bie në kundërshtim me politikat e ndjekura nga kompanitë low-cost si Ryanair dhe easyJet, të cilat paguajnë tarifa të ulëta për aeroportet që përdorin. Nuk ekziston ndonjë aeroport ndërkombëtar dytësor në Shqipëri. Nëse dëshironi të udhëtoni nga Britania në këtë moment, opsioni i juaj i vetëm është të merrni British Airways nga Gatwick në Tiranë.

Megjithatë, gjërat po ndryshojnë. Heqja e monopolit të aeroportit vitin e kaluar ka bërë që disa gjëra të ndryshojnë. Aeroportit të Kukësit “Shaikh Zayed” (i emëruar kështu pasi është financuar nga Abu Dhabi) i është dhënë leja për të pritur fluturimet ndërkombëtare. Edhe pse Ryanair dhe Wizz Air kanë treguar interes për të përdorur këtë aeroport, asnjë kompani nuk ka njoftuar se do të kryejë ndonjë fluturim aty.

Kukësi ndodhet në veri-lindje të vendit, pothuajse 100 milje nga Durrësi dhe plazhet e tij, duke e bërë atë një aeroport jo me shumë interes. Kjo gjë nuk mund të thuhet për Sarandën, ku që prej vitit 2016 flitet se do të ndërtohet një aeroport i ri ndërkombëtar. Këtu punimet duhet të fillojnë nga hiçi. Ndoshta aty ekziston një pistë e vogël avionësh, por tërësisht e papërshtatshme për fluturime ndërkombëtare. Ky aeroport nuk do të hapet deri mesin e dekadës tjetër, më e pakta. Në këtë moment, nëse dëshironi të vizitoni Sarandën nga Britania e Madhe, mënyra më e ‘drejtpërdrejtë’ është të fluturosh në Korfuz (psh. me easyJet), dhe pastaj të marrësh një traget për në lindje. Nuk është për t’u habitur se pse shumë pak turistë britanikë do t’a bënin këtë gjë.

Wizz Air pak më herët gjatë kësaj jave, njoftoi se që nga 3 maji do të fluturojë në Tiranë tri herë në javë nga ‘baza’ e saj në Luton, duke futur me vonesë një linjë me kosto të ulët që t’i dërgonte turistët në plazh. (aeroporti ‘Nënë Tereza’ është vetëm 20 milje nga Durrësi)

Pra, a do të jetë kjo një shkëndijë për britanikët që të vijnë në Rivierën Shqiptare?

Ndoshta po, ndoshta jo. Një nga problemet e tjera me pushimet bregdetare në Shqipëri është se standardi i akomodimit nuk është aq i mirë. Në Durrës nuk ka zona luksoze, nuk ka butiqe apo SPA. Ka vetëm zona mesatare që, megjithëse mund të jenë shumë të rehatshme dhe qartësisht të grumbulluara për tregun vendas, nuk mund të përmbushin pritshmëritë e udhëtarëve britanikë, të cilët shumë më kollaj mund të zgjedhin të shkojnë në Greqi.

Shumë prona në bregdet u zaptuan nga ndërtimet sapo Shqipëria doli nga komunizmi. Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropën Qëndrore dhe Perëndimore që shpëtoi nga Lufta e Ftohtë. Ajo doli në dritë në vitin 1992, tre vite pas Hungarisë, Polonisë dhe të tjerëve që e kishin shkatërruar Perden e Hekurt. Kjo vonesë politike është një tjetër arsye pse, sa i përket zhvillimit në infrastrukturën turistike, Shqipëria është prapa të tjerëve. Në mesin e viteve ’90, në Durrës dhe Sarandë u ndërtuan shumë hotele pa menduar për planifikimin urban. Pasojat ishin, në disa raste jo të bukura për syrin, ndërsa kërcënonin edhe të shkatërronin shirita të mëdhenj të bregdetit.

Fatmirësisht, Shqipëria duket se është tërhequr disi nga gabimet e saj. Në katër vitet e fundit ka pasur një shtrëngim të rregullave mbi lejet e ndërtimit. “Ne nuk do të legalizojmë asgjë që është ndërtuar në mënyrë të paligjshme përgjatë bregut dhe do të ketë dënime për ata që kanë masakruar bregun, parqet arkeologjike ose habitatet natyrore të mbrojtura” – u shpreh kreu i ALUIZNit, Artan Lame, në gusht të vitit 2013.

Kjo vendosmëri për të pasur një qasje më të matur ndaj turizmit, dhe të kuptuarit se 426 kilometrat e Shqipërisë bregdetare janë pasuria më e madhe natyrore e vendit, po fillon të japë frytet e saj.

Në qershor, bëra një udhëtim nga periferitë e Durrësit e deri tek Gjiri i Lalzit. Këtu hasa një ndryshim. Vilat luksozve të “Rezidencia Primavera”-s tashmë janë hapur, me një rrugë që të çon nga pjesa e prapme e pronës deri tek një hapësirë ranore. Ngjitur, dy hotele të mëdha me pesë yje po ngrihen, njëri prej të cilëve po ndërtohet nga grupi spanjoll “Melia”.

Shqipëria është një vend intrigues për t’u vizituar që tani. Tirana është një qytet gjithnjë e më kozmopolit, ndërsa pasuria e vendeve arkeologjike të lashta (duke përfshirë Apoloninë dhe Butrintin), pothuajse mund të konkurrojnë me Italinë. /the Telegraph/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet