Parku Arkeologjik i Apolonisë

Më shumë vizitorë në parqet arkeologjike

Në tremujorin e parë 2019, numri i shfaqjeve kulturore ishte 308, duke shënuar 8 shfaqje më shumë, në krahasim me tremujorin e parë 2018.

Në institucionet e artit dhe kulturës, në tremujorin e parë 2018, janë organizuar 17 premiera, 10 premiera më pak, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Në tremujorin e parë 2019, numri i spektatorëve është 67.609, duke pësuar rritje me 1,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesëmarrja mesatare në tremujorin e parë 2019 është 220 spektatorë për shfaqje dhe ka pësuar ulje me 0,9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

Institucione të artit dhe kulturës: Për tremujorin e parë 2019, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve, me 145 të tilla, megjithatë ka pësuar rënie prej 2,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka realizuar numrin më të lartë të premierave, 10 premiera, 6 më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për tremujorin e parë 2019, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka numrin më të lartë të spektatorëve, me 22.765 të tillë; megjithatë, ka shënuar një rënie prej 18,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritjen më të lartë në përqindje për numrin e vizitorëve, në tremujorin e parë 2019 e ka pasur Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor me 54,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Numri mesatar i spektatorëve për shfaqje ka pësuar një rënie të lehtë, nga 222 spektatorë për shfaqje që ishte në tremujorin e parë të vitit 2018, në 220 spektatorë për shfaqje, në tremujorin e parë 2019. Ulja është në masën 0,9 %.

Trashëgimi kulturore: Numri i vizitorëve në muze, në tremujorin e parë 2019 është 25.916, duke shënuar rritje me 5,9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve ka një rritje prej 2,5 % ndërmjet tremujorit të parë 2019 dhe të njëjtit tremujor në vitin 2018. Numri i vizitorëve në parqe arkeologjike, në tremujorin e parë 2019 është 19.881, me rritje prej 43,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë, të vitit të mëparshëm. Në tremujorin e parë 2019, numri i vizitorëve të huaj në muze, parqe dhe kala ishte 15.846, duke shënuar një rritje me 27,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Përqindja më e lartë e vizitorëve të huaj është në muze, përkatësisht 27,4 % të huaj nga totali i vizitorëve në muze.

Biblioteka Kombëtare: Numri i shërbimeve të njësive bibliotekare, ka pasur një rritje prej 1,2 % në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018; ndërsa numri i veprimtarive kulturore dhe shkencore ka rënë me 43,5 %. Në tremujorin e parë 2019, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare ka qenë 30.669, duke shënuar një rritje me 64,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e parë 2019, në Bibliotekën Kombëtare janë afishuar 6.574 botime, 55,7 % më shumë në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2018. Nga këto botime 1.233 ishin tituj të rinj dhe 5.341 ekzemplarë të rinj. /revista Monitor/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet