Anila Bega (Cohen), Drejtore e Qendres Shalom

Baba i sukseshëm: Sfidë dhe Kënaqësi
Çfarë qëllimi ka përfshirja e baballarëve në Kopshtin ''Shalom''?

Dashuria e babait për fëmijët është po aq jetike sa ajo e nënës dhe roli i tij mbetet i veçantë në formimin e psikologjisë së fëmijës. Kur babai merr pjesë në edukimin e fëmijës që në fëmijërinë e hershme, atëherë fëmija ndihet në paqe me veten, është miqësor, i besueshëm, aktiv në shoqëri dhe individ i shëndetshëm. Këtij qëllimi i shërben përshfirja e baballarëve në programin Shalom si në aktivitete specifike ashtu dhe në rutinën ditore. Për të folur rreth rolit të babait në edukimin e përditshëm, intervistuam Drejtoren e Qendres Shalom Anila Bega (Cohen). Ajo është trajnuar në Qendren Golda Meir-Izrael, në fushën e psikologjisë dhe teknikave të prindërimit dhe punon prej shumë vitesh si terapiste për prindërit e rinj. Teknikat e prindërimit janë një lloj pasqyre e vetvetes, qëllimeve, dëshirave dhe trashëgimisë kulturore dhe morale që secili prej nesh mbart. Një fushë e re në Shqipëri, tepër e domosdoshme në këndvështrimin social në ditët tona, pasi prindërit e rinj (babai në rastin konkret) duhet të përballen me dëshirën për të qenë një kryefamiljar, bashkëshort, prind i realizuar por dhe një profesionist i mirë njëherësh. Kjo shpeshherë konsiderohet si një sfidë. Teknikat e thjeshta të prindërimit, përfshirja e babait, aktivizimi i tyre në rutinën ditore të fëmijës si pjesë e programit të kopshtit e kthen këtë sfidë në Kënaqësi.

Çfarë mendimi keni për rolin e baballarëve në edukimin dhe zhvillimin psiko-emocional të fëmijëve të vegjël?

Anila Bega (Cohen): Duke ju referuar eksperiencës sonë kemi vënë re që kur baballarët, të cilët kanë fëmijët në vitet e para të arsimimit, janë aktivë, fëmijët kanë rezultate më të larta në mësime dhe janë më të aftë si në profilin shkencor, edhe në atë shoqëror. Ky përfundim vihet re më së shumti në ato familje ku babai ka një rol aktiv në familje dhe marrëdhëniet mes pjesëtarëve janë harmonike. Nëse një baba aktiv flet vazhdimisht në familje për të mirat që sjell arsimimi, do të shohim që këta fëmijë, janë ata që preken më pak nga problemet e ndryshme që mund të hasen në kopësht e më pas në shkollë.

Po në periudhën e foshnjërisë a mendoni se ka vlerë roli aktiv i një babai?

Anila Bega (Cohen): Sigurisht! Baballarët aktivë transmetojnë siguri në periudhën e foshnjërisë tek fëmijët e tyre. Kështu, kur këta fëmijë përballen me situata të reja ose fenomene të panjohura, janë të predispozuar të përshtaten më lehtë. I kalojnë qetësisht situatat e tensionuara dhe janë më kuriozë për të zbuluar gjëra të panjohura. Vajzat e baballarëve aktivë janë më të lumtura, ndihen të përkrahura dhe rrjedhimisht kanë më shumë besim në vetvete. Përkujdesja e babait lidhet ngushtë me jetën sociale të pasur, me pjekurinë dhe sjelljen e fëmijës.

Si ndikon tek zhvillimi social i fëmijës një baba aktiv?

Anila Bega (Cohen): Nga studimet e bëra është piketuar se fëmijët e baballarëve të përkushtuar janë më të shoqërueshëm, dhe janë pikërisht këta fëmijë, që duhet dhe kanë më tepër vëmendje në shoqërinë e tyre. Kjo ndodh sepse këta fëmijë kanë më pak ndjenja negative, krijojnë më pak zënka, tregohen më tolerantë dhe janë më të ndjeshëm dhe të kuptueshëm. Vihet re se fëmijët që kanë një baba aktiv janë më pak gënjeshtarë, depresivë dhe hiperaktivë. Studimet shkencore tregojnë qartë se marrëdhëniet e mira mes prindërve ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e fëmijës. Në rastet kur atmosfera mes prindërve është e tensionuar, me debate të shumta, dhe jo e lumtur bëhet një faktor ndikues në sjelljen agresive të fëmijës. Në rastet kur jetohet në një harmoni familjare dhe marrëdhëniet mes prindërve shkojnë mirë, kjo atmosferë ndikon pozitivisht në karakterin e fëmijës. Baballarët e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve, janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre.

Në aktivitetet e kopshtit Shalom për Vit të Ri

Cila është ndihma që baballarët duhet të japin në rritjen e fëmijëve?

Anila Bega (Cohen): Ndihma e baballarëve ndaj fëmijëve të tyre ndryshon nga mosha në moshë. Mendimi im është se, veçanërisht në foshnjëri, ndihma më e mirë që mund t'i jepet fëmijës është ndihma ndaj bashkëshortes. Nuk ka gjë më të bukur për gruan kur sheh se detyrimet e saj të shumëfishuara me lindjen e një fëmije përgjysmohen nga ndihma e bashkëshortit.

Si ndryshon roli i babait në fazat e ndryshme të moshës së fëmijës?

Anila Bega (Cohen): Ky rol është "i mbjellë" le të themi, brenda babait saqë në mënyrë spontane, babai mund ta kuptojë. Mjafton që ky baba të ketë një dashuri të sinqertë dhe të vërtetë dhe ndjenjen e pergjegjesise, në radhë të parë. Nuk ka asgjë të vështirë. Gjërat bëhen të vështira vetëm kur mungon dashuria. Megjithatë dua të shtoj se roli i babait bëhet shumë më i këndshëm kur fëmija fillon e rritet dhe komunikon me babain, qoftë djalë apo edhe vajzë. Koha e kaluar me fëmijët është gjëja më e rëndësishme. Gjatë kësaj kohe babai nuk mund t'i japë fëmijës më shumë se çka ai ka mësuar nga jeta. Por, e përsëris, fëmija, më shumë se njohuritë ka nevojë për dashuri. Dashuria, jo vetëm ndaj fëmijës, por në përgjithësi në ambjentin familjar, është faktori kryesor që e bën fëmijën të ndjejë siguri të plotë. Për këtë siguri ka nevojë secili prej nesh, gjatë gjithë jetës. Nëse e sigurojmë ne individin që në vogëli, kjo do jetë baza e shëndoshë e një shoqërie që dëshirojmë në të ardhmen e afërt.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

10 Komentet

  1. Alojva Xhelilaj  e Mërkurë 16 Gusht, 2017

    E rilexoj disa here kete artikull dhe absolutisht qe dakordesoj ne rolin e babait si nje shtylle shume e rendesishme e prinderimit edhe ne shoqerine tone qe kete rol ja atashon apriori nenes. Eshte nje fillese e mbare edukimi i mentalitetit te shoqerise shqiptare, te hedh hapa te shpejt ne pranimin e ketij roli qe i takon mashkullit ne momentin qe kalon ne statusin baba.

  2. j.hila  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    ku ndodhet kopshti?

  3. suela   e Mërkurë 3 Maj, 2017

    shume bukur keta duken se kane femije te lumtur

  4. Erjon Faja  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    Anila kur erdha per here te pare ne grupin e djalit ndjehesha shume ne siklet,po e mora veten shpejt hahaha. Sinqerisht ishte eksperienca me e vecant e jetes time. Te falenderoj per cdo gje qe ben per femijet , shume suksese edhe ekipit tend te palodhur.Erjoni dhe Lela

  5. Jola Kadare  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    Te edukosh brezat do te thote te edukosh me pare familjet. Ide shume e bukur perfshirja e babit ne kopshtet e femijeve.Eshte hera e pare qe e degjoj,komplimente Shalom

  6. Xhuljeta  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    - Cdo FJALE brilante Anila !!!!!!! Te perqafojme familjarisht.

  7. Nila  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    Ju falenderoj me shpirt qe na ndiqni dhe na mbeshtetni.Vleresimi juaj na motivon qe te bejme cdo dite gjera me te bukura per femijet dhe komunitetin tone. E dashur Jozi,kur mbetesh ne mendjen e njerezve edhe pasi largohen nga Shalomi,eshte privilegj.Te perqafoj .

  8. A.  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    Nile je per tu admiruar!!!

  9. jozi  e Mërkurë 3 Maj, 2017

    Ne pjesen me te madhe kopshtet per femije jane te mbajtura keq kan dhe personel te paarsimuar mire, por ketu ka pas femijen motra ime eshte vertet per tu lavderuar puna e stafit dhe e Aniles

  10. Gazmend Freitag  e Martë 2 Maj, 2017

    Urime per kete interviste shume objektive dhe edukative, e nderuara Anila! Edhe kopshtit te femijeve "Shalom" eshte nje shembull i bukur ne tere regjionin e ballkanit. Kompliment dhe gjithe te mirat!