Botërori i Solidaritetit. Krijimi i një qasje të re për integrimin e emigrantëve në Shqipëri

nga Giovanni Lattanzi dhe Boiken Sinaj

Të dielën e kaluar në Tiranë u zhvillua "Botërori i Solidaritetit", iniciativë e Gus Albania në bashkëpunim me Qendrën për azilkërkuesit Babrru dhe një sërë aktorësh të tjerë. Në ndeshje luajtën migrantët e qendrës për strehim në Babrru, të rinj shqiptarë, italianë, holandezë dhe të tjerë të huaj që jetojnë në Tiranë. Gjuhë të ndryshme u përzien në fushën e futbollit te liqeni artificial, ku fjalë në shqip, anglisht, arabisht dhe frëngjisht mplekseshin me golat, thirrjet, djersitjet dhe buzëqeshjet.

Kështu u konkretizua bindja jonë se ndërtimi i një modeli pozitiv për pritjen dhe integrimin e azilkërkuesve kalon edhe nga sporti. Ky kontribuon në përhapjen e kulturës së bashkëjetesës, ndaj është kthyer në një praktikë të mirë në mjaft vende europiane. Një ndeshje e thjeshtë futbolli ndihmon në tejkalimin e frikës ndaj të huajit, bëhet një instrument kundër racizmit. Loja thyen kufijtë gjuhësorë, na ndihmon të gjejmë pikat e përbashkëta, qofshim shqiptarë, sirianë, irakenë, kurdë, ne jemi të gjithë individë.

Për GUS Albania pritje do të thotë në radhë të parë respekt dhe promovim i të drejtave të migrantëve, në të njëjtën mënyrë me të drejtat e çdokujt tjetër. Refugjatë, azilkërkues, gra, pleq, fëmijë që gjëjnë tek ikja nga vendlinjda të vetmin shteg për t’u shpëtuar luftërave dhe dhunës, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, për përkrahjen tonë.

Ne besojmë se shoqërisë civile shqiptare duhet të luaj një rol në këtë proces kaq delikat, duke përfshirë dhe sensibilizuar institucionet dhe qytetarët. Kështu të dielën krijuam një rrjet bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme dhe Bashkinë e Tiranës, duke vijuar modelin e nisur para 3 vitesh me organizimin e parë të Ditës së Refugjatit në kryeqytet. Të gjithë së bashku për një mesazh solidariteti. Sot jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në promovimin e një debati publik që të thellojë njohuritë e qytetarëve për këtë temë, me kujdesin që duhet përdorur kur bisedohet për jetë njerëzish.

Nisur nga eksperienca e shqiptarëve, që kanë një histori të gjatë emigracioni, besojmë se është i rëndësishëm ndërtimi i një rrjeti social pritës. Shoqëria civile vendase mund të ketë një rol kyç në procesin e integrimit si dhe në përftimin më të plotë të aftësive dhe talenteve të migrantëve. Në dobi të vendit tonë dhe të shoqërisë pa mure që do të ndërtojmë së bashku. /GUS Albania/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet