Kopertina e librit VENERA, autore Nila Bega Cohen

Dashuria në kohët moderne, dëshirë apo nevojë?
Një dhuratë ndryshe këtë Shën Valentin për të dashurit tuaj, Cohen Nila - VENERA

nga Prof.dr. Ardian Kyçyku

Më shumë zemër... Ka shumë mënyra të foluri me vete, me zë a pa zë, por mes tyre, megjithë mjegullën shumëngjyrëshe të globalizimit, shquhen qartë ato që i përkasin filozofisë, ato që i përkasin tregtisë dhe ato që i përkasin çmendurisë (vetjake, ose me gjerë). Në kohën e sotme, jo rrallë, këto të folme njësohen, shprehen me shkrim, botohen dhe shihen, ose trymbetohen si poezi.

Për fat, ende mbijeton një lloj poezie që i kushtohet dhe njëfarësoj buron nga kulti i kahershëm i bukurisë, i mirësisë dhe i flijimit të disave për ta bërë këtë botë sadopak të durueshme, ose të kuptimtë. Kjo lloj poezie, për e nga „dy copëza vuajtjeje / që marrin frymë”, ndonëse duket thjesht si poezi malli e dashurie, është zgjedhur të flasë me veten e lexuesit, por duke folur njëkohësisht me veten e autorit, pra: si një ftesë, jo si një ndikim, joshje, zgjedhë. Ajo duhet lexuar në vetmi, në heshtje, dhe nuk shijon, po të lexohet me zë, apo të recitohet qoftë edhe në prani të dashamirësve të poezisë.

Etja për ta luftuar të përditshmen duke përdorur pó mjetet e saj ka bërë që shumica e poezive bashkëkohore të shndërrohen në binjake me trajtat e realitetit të menjëhershëm, duke humbur jo vetëm synimin themeltar të Poezisë, frymën dhe rrezëllimën e saj të padukshme, por edhe shijen e mirë.

Poezia e Nila Cohen-it e ka shijen, hijeshinë dhe paqen plot dhembje të ndritshme, - që as nuk vajton, as nuk ulërin, as nuk lyp keqardhje, apo çmime - mbase pikërisht ngaqë nuk shkruhet për t’u lexuar a për të kërkuar një vend në panteon. Është poezia e një vetmie të bukur, por edhe vetmia e një poezie të bukur, që e tërheqin lexuesin drejt një hapësire ku nuk ka nevojë të jesh i ditur, po qe se ke mjaftueshëm zemër ose gjak fëminie në vena.

* Libri gjendet tek të gjitha libraritë Adrion dhe të Albas

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet