'Distrikti 798' Atelieja më e madhe e botës në kryeqytetin kinez

Rajon kushtuar vetëm artit modern në Pekin

“Distrikti 798”, është një numur i veçantë i vendosur për një zonë e gjitha dedikuar artit modern. Ndodhet në rajonin Dashanzi të distriktit Chaoyang në Pekin. Zona është e mbushur me arkitekturë të stilit Bauhaus të viteve 50-të dhe është një ndër destinacionet më popullore dhe më të vizituara të kryeqytetit kinez. Rajoni është aq i madh, saqë mund të depërtosh brenda me taksi, makinë private ose biçikletë pa as më të voglin problem. Hyrja është falas dhe mund ta vizitosh në çdo moment dhe sa herë të duash.

Tubot gjigande, të gjata dhe disa inç të trasha, për herë të parë të japin idenë e një fabrike super gjigande, tipike të mëdha kineze.Hambarët dhe magazina të vogla dhe të stërmëdha kanë qenë prej kohësh të braktisura. Zyra industrie dhe ushtarake prodhimesh makinerie dhe veshjeje tashmë janë shndërruar krejtësisht duke u transformuar brenda 40 vjetësh duke u kthyer në galeri artesh të famshme dhe inkubatorë të industrisë kulturore dhe krijuese si për kinezët ashtu edhe të huajt.

Brenda të gjithë zonës ndodhen me qindra galeri, por nuk mungojnë edhe restorantet, muzeumet, pabet apo gjithçka që dëshiron të gjesh brenda kësaj zone muzeale gjigande. Nëse ke dëshirë të madhe për të parë thuajse gjithçka, do të duhet të paktën një gjysmë dite. Pa merak, karikimin e merrni duke u çlodhur në baret dhe restorantet e shumta që ndodhen thuajse në të githë distriktin e artit.

Tek 798 nuk vihet vetëm për të gjetur dhe parë art, por për t’u ndjerë i gjallë. Edhe pse mjaft të kushtueshme në pagesën e qerasë, artistë të famshëm nuk ngurrojnë të hapin galeritë e tyre gjigande. Shumë prej artistëve, shprehen se punojnë për gjeneratën e re, për jetën e tyre, emocionet dhe mendjen e tyre duke dashur të dhurojnë diçka të re dhe jo vetëm për të konsumuar. Pyetjet që shtrohen nga të gjithë vizitorët, “nga vijnë gjithë këta artistë, pse arti i tyre është kaq interesant”?

Në zonën 798 çdo vit programohen mbi 2000 mostra arti. Në brendësi të një kuadrati prej 1 kilometri katror të distriktit Chaoyang, ndodhen të paktën 5 ndërtime dhe atelie kulturore komplet të ndryshme nga njëra-tjetra të krijuara nga artistë, atelierë dhe stilistë.

Por si lindi “distrikti 798” në Pekin

Në vitet 50-të kur ende Kina ndodhej nën erën e revolucionit të sapo themeluar, një grup artistësh dhe arkitektësh nga Gjermania Lindore, mbërritën në Pekin duke projektuar një kompleks industrial dhe ushtarak të stilit Bauhaus, nga ku do të duhej të prodhohej industri e rëndë për Republikën Popullore të Kinës e cila kishte vetëm disa vjet që ishte themeluar.

E gjithë zona u inagurua në vitin 1957, por deri në vitet 90 ishte thuajse e papërdorur. Duke parë gjithë hapësirën e madhe, në vitin 1995 një grup artistësh të Akademisë Qëndrore të Arteveve të Bukura të Pekinit, ngritën një projekt duke menduar të rindryshonin destinacionin e rajonit nga gati të rënuar dhe papërdorur, në një rajon shumë të zhvilluar, shumë artistik, duke u bërë kështu një ndër më të mëdhenjtë në të gjithë botën.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet