Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, Margariti: Krijuesi shqiptar me ligj europian

“Pronësia Intelektuale dhe Sportet”- Të arrijmë më të mirën!”, është slogan i këtij viti i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Në aktivitetin e mbajtur sot në Tiranë, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, ishte e pranishme ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përfaqësues të institucioneve shtetërore të lidhura me pronësinë intelektuale, përfaqësues nga grupet e interesit, etj

Ministrja Denaj vlerësoi se Pronësia Intelektuale përbën një nga aspekt më të rëndësishme të ekonomisë së një vendi, pasi është një nga stimuluesit e zhvillimit të ekonomisë si dhe një nga treguesit e nivelit të dinamikës së aktivitetit tregtar, ndërsa Pronësia Industriale është sot një kapital i rëndësishëm i biznesit dhe në 5 vitet e fundit ka 4 fishim të markave shqiptare.

Qeveria, tha ministrja, është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe asaj industriale dhe ka vendosur si një nga prioritetet e saj reformimin e sistemit të pronësisë intelektuale, me qëllim arritjen e standardeve europiane mbi mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.

Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020 është një dokument i rëndësishëm për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vend, pasi ajo synon nxitjen e ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie inovative të bazuar në dije.

Ministrja theksoi se politikat e qeverisë kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë në vendin tonë.

Ndërsa Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vuri në dukje se Shqipëria tashmë ka miratuar reformën e plotë në fushën e të drejtës së autorit, duke përmbushur detyrimet ndërkombëtare për t’i dhënë mbrojtje interesave legjitime të krijimtarisë së autoreve shqiptare dhe të huaj në vendin tonë.

“Këtë vit, tema e fushatës së Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale lidhet me sportin dhe mban temën “Fito një medalje ari“. Theksi vihet në mënyrën sesi inovacioni dhe kreativiteti inkurajojnë, mbrojnë apo favorizojnë zhvillimin e sportit dhe praktikimin e tij në të gjithë botën.Bota e sportit prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë pronësinë intelektuale dhe më konkretisht, të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, tha Margariti.

Sportet konkurruese, tha ministrja, janë bërë një industri globale miliardë dollarëshe, për shkak të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet medieve, sponsorëve dhe autoriteteve sportive.

”Megjithatë, teknologjitë më të sofistikuara të komunikimit, të arritshme për një publik të gjerë, jo vetëm u kanë mundësuar tifozëve të ndjekin sportet e drejtpërdrejta kudo që të jenë, por kanë hapur mundësi të reja për vjedhjen e sinjaleve. Transmetimet sportive live kanë qenë një objektiv i veçantë për ritransmetim të paautorizuar në internet”, vuri në dukje ajo.

Margariti tha se pirateria e sinjalit jo vetëm që kërcënon reklamat dhe shitjet e të ardhurave të transmetuesve që kanë paguar për të drejtat ekskluzive për të treguar mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve sportive, por gjithashtu rrezikon zvogëlimin e vlerës së këtyre të drejtave dhe kështu të ardhurat e organizatave sportive.

“ Ligjet kombëtare ofrojnë opsione të ndryshme për trajtimin e piraterisë së sinjalit, duke përfshirë mbylljen e faqeve të paligjshme, organizatat transmetuese kanë ngritur presion për mbrojtje më të mirë ligjore në nivel ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, transmetuesit dhe organizatat sportive përdorin mediet digjitale për të arritur dhe angazhuar audiencën e tyre, sidomos shikuesit më të rinj, duke ofruar mbulim sportiv në forma të ndryshme”, shtoi më tej ajo.

Duke vënë në dukje se respektimi i të drejtës së autorit është në rrugë të mbarë, ministrja e Kulturës tha se “sot konstatojmë se krijuesi shqiptar i veprës letrare, artistike dhe shkencore ka një ligj europian”.

Margariti evidentoi dy vendime të rëndësishme të miratuara nga Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit, vendimin “Për miratimin e metodologjisë dhe masës së tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv”.

Për herë të parë, në Shqipëri, tarifat e përdorimit të veprave, objekt i të drejtës së autorit, janë të parashikuara në bazë kriteresh shumë të rëndësishme si : parimi i transparencës, parimi i besueshmërisë, aksesi i veprave konform legjislacionit etj. Tashmë, dihet që ka studime të ndryshme, qoftë edhe vetë studimet e kryera nga WIPO të cilat tregojnë se çfarë rëndësie të konsiderueshme ka e drejta e autorit në rritjen e ekonomisë së një vendi.

Vendimi i dytë nga KKDA, sistemi i Sportelit Unik apo thënë ndryshe sistemin “One Stop Shop”.

“Tashmë çdo subjekt përdorues i drejtohet Sportelit Unik për Administrimin e te Drejtës se Autorit për të marrë autorizimin për përdorimin e veprave, të katra agjencive, njëherazi. Dhe kjo është një arritje e konsiderueshme pasi automatikisht rritet ndjeshëm respektimi i ligjit”, deklaroi ministrja Margariti.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet