Dua Lipa së shpejti koncert në Prishtinë

Dua Lipa ka arritur famë ndërkombëtare dhe tani mund të realizojë dëshirat e familjes së saj. Ajo do të organizojë një koncert gjigant në Prishtinë, së bashku me emra të njohur të muzikës që do i japë shumë vlera Kosovës.

Për këtë ngjarje ka shkruajtur edhe prestigjozja britanike “The Guardian” që e nis shkrimin me këtë fjali: “Ylli i hitit ‘New Rules’, Dua Lipa, do të performojë në një event në Prishtinë, të organizuar për të rritur imazhin e vendit. Dhe babai i saj do të jetë pjesë e tij gjithashtu…”

Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës ka një kohë të gjatë që dëshiron të organizojë një festival të madh në Kosovë për ta vënë në hartën kulturore dhe për të vërtetuar se shteti më i ri në Europë mund të marrë vlera.

22-vjeçarja do mbajë një festival gjigant në Prishtinë këtë javë, për të cilin familja shpreson se do ta promovojë imazhin e Kosovës në gjithë botën.

“Ne duam t’u japim njerëzve një ndjenjë të përkatësisë, të jetesës evropiane dhe idenë se ne jemi pjesë e Europës. Kjo është mënyra më e mirë për të promovuar Kosovën si një vend paqësor dhe muzik-dashës që mirëpret të gjithë fqinjët tanë dhe të gjithë vizitorët që duan të argëtohen”, tha Dukagjini për Observer.

Dua Lipa, e cila me Calvin Harris vazhdon të jetë në vendin e parë në Britaninë e Madhe me këngën e tyre më të fundit “One Kiss”, është më e madhja nga tre fëmijët e Dukagjinit, i cili u largua nga Kosova me gruan e tij më 1992 dhe u vendos në West Hampstead në Londër.

Familja fliste anglisht dhe shqip në shtëpi dhe Dua Lipa shpesh ka shprehur krenari për prejardhjen e saj nga Kosova, duke publikuar për 15 milionë ndjekësit e saj të Instagram, fotografi të librave të shkruar nga gjyshi i saj, i cili ishte kreu i Institutit të Historisë së Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që festivali “Sunny Hill” organizohet në Kosovë. Dua Lipa u takua me kryetarin e komunës së Prishtinës dhe me presidentin e Kosovës në koncertin e mbajtur dy vjet më parë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet