Itali / Shqipëria në Balkan Film Festival

Balkan Film Festival, që do të zhvillohet në Casa del Cinema në Romë nga 8 deri më 11 tetor, është aktiviteti i ri i shoqatës Occhio Blu Anna Cenerini Bova (në bashkëpunim me MiBACT dhe Anica) që zgjeron kështu ofertën për publikun italian pas dy festivaleve të filmit shqiptar të zhvilluara vitet e shkuara.

Balkan Film Festival ka si objektiv të njohë publikun italian me kinematografinë ballkanike, një botë sa e larmishme aq edhe befasuese. Festivali kërkon gjithashtu të promovojë përfshirjen aktive të Qendrave të Kinematografisë të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Sllovenisë, në projektet e Ministrisë italiane të Kulturës (MiBACT) dhe Anica (shoqata italiane e industrive filmike, audiovizive dhe multimediale), në fondet e reja publike italiane dhe ballkanike. Një angazhim i përbashkët dhe shumëpalësh për një perspektivë bashkëpunimesh gjithnjë e më intensive dhe bashkëprodhimesh filmike, përmes procesesh të fuqishme integruese dhe cilësore të një fryme evropiane.

Veprat kinematografike të përfshira në programin e Balkan Film Festival janë shprehje e një pasurie e domethënieje të veçantë. Festivali hapet me dokumentarin, kandidat për dy çmime Oskar, të Maqedonisë së Veriut “Honeyland” të regjisorëve Tamara Kotevska e Ljubomir Stefanov, për të vazhduar me grekun “Defunct” të Zacharias Mavroeidis, “The Voice” të Ognjen Sviličič (bashkëprodhim Kroaci, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), “The Father” i Kristina Grozeva e Petar Valchanov (Bullgari, Greqi), “Rounds” i Stephan Komandarev (Bullgari, Francë, Serbi), “Breasts” i Marija Perović (Mal i Zi, Kroaci, Serbi), “Erased” i Miha Mazzini e Dusan Joksimovic (Slloveni, Kroaci, Serbi). Nuk do të mungojë një çast diskutimi e reflektimi mbi temën “Kinematografia dhe Shoqëria në Ballkan”.

Festivali mbyllet të dielën 11 tetor në orën 21:00 me prezantimin dhe shfaqjen e filmit “Portreti i Pambaruar” i regjisorit Namik Ajazi, një bashkëproduksion shqiptaro-italian. Do të jenë të pranishëm në sallë e do të prezantojnë filmin vetë regjisori, drejtori i fotografisë Nino Celeste, aktorët Beatrice Aiello e Antonio Kowdrin. Ndër aktorët e filmit, është edhe Remo Girone, shumë i njohur nga publiku shqiptar për filmin televiziv La Piovra ku luante rolin e Tano Carridi-t.

“Portreti i Pambaruar” (Il Ritratto Incompiuto di Clara Bellini), i bazuar mbi një histori të vërtetë, tregon rreth një ekspozite të Arturit, një piktor i suksesshëm shqiptar. Piktura më e vlerësuar nga kritika është portreti i një vajze që zbulon një dashuri të ndaluar në Shqipërinë komuniste mes një studenti të arteve dhe vajzës së një diplomati italian. E teksa takohen pas shumë vjetësh përpara pikturës, Arturi e Clara, gruaja e portretit, rikujtojnë të shkuarën e tyre kur iu desh të luftojnë regjimin për të mbrojtur dashurinë.

Shqipëria është e pranishme në Festival edhe në dy momente të tjera të rëndësishme.

Jashtë Programit, të premten (9 tetor) në orën 16:00 do të shfaqet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Është fjala për filmin e regjisorit Luciano Tovoli, bashkëproduksion italo-francez i vitit 1984, mes aktorëve të të cilit gjejmë edhe Marcello Mastroianni-n dhe Michel Piccoli-në. Në Francë, filmi u shfaq në 400 salla dhe u vlerësua nga kritika.

I bazuar mbi veprën e njohur të Ismail Kadaresë, historia e filmit është ajo e një gjenerali italian (Mastroianni) dhe e një prifti (Piccoli) të dërguar në Shqipëri për të kthyer në Itali eshtrat e ushtarëve të mbetur të vrarë gjatë Luftës së dytë botërore. Në veçanti Kontesha Betty Mirafiore u beson atyre detyrën për të gjetur trupin e burrit të saj, kolonelit legjendar Di Breni. Ai që fillimisht dukej thjesht një mision humanitar, do të rezultojë një endje e zymtë që do të rizgjojë konflikte, plagë e tmerre të vjetra të pambyllura të përjetuara gjatë luftës.

Në Casa del Cinema, të premten filmi do të pasohet nga një takim mes regjisorit të filmit Luciano Tovoli me regjisorin Roland Sejko.

Një moment i rëndësishëm i Festivalit do të ketë në qendër një nga figurat më të spikatura të kinematografisë shqiptare të 30 vjetëve të fundit. Të shtunën 10 tetor, në orën 16:00, do të mbahet Eventi Special kushtuar Gjergj Xhuvanit që u nda nga jeta vitin e shkuar. I vlerësuar nga publiku italian e mik i mirë i shoqatës Occhio Blu Anna Cenerini Bova, Xhuvani ka qenë i pranishëm personalisht e me veprat e tij në dy festivalet e filmit shqiptar e organizuara nga shoqata. Gjatë “Giornate del cinema albanese 2019”, teksa prezantoi filmin e tij “Engjëjt janë larg” me të cilin u mbyll festivali, Xhuvani foli për filmin “Liqeni im” që kish në dorë dhe premtoi të ishte i pranishëm e t’ia prezantonte këtë vit publikut italian. Vdekja e papritur në gusht 2019 në Romë e ndau përgjithmonë nga kjo botë.

Këtë radhë veprën e gjerë e Xhuvanit dhe rolin e tij në kinematografinë shqiptare do ta prezantojnë drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Eduart Makri dhe kolegët e tij. Më pas do të shfaqet – për të parën herë për publikun italian – “Liqeni im”, bashkëprodhim ballkanik (Shqipëri, Kroaci, Kosovë, Maqedoni e Veriut) me aktorë Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia Zogu, Julinda Emiri, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti.

“Liqeni im” rrëfen përditshmërinë e Kristos, një adoleshent i burrëruar para kohe, që jeton në një fshat në buzë të liqenit të mrekullueshëm të Prespës, që për miq nuk ka shokët e klasës por “të fortët” e fshatit, të kërkuarin nga policia e trafikantin e drogës. E liqenin e tij të dashur që njeh shumë mirë dhe e shëtit kryq e tërthor me varkë, e shfrytëzon për të çuar pakot e drogës nga bregu shqiptar te ai maqedonas. E përmes Kristos, filmi rrëfen jetën e shumë të rinjve në periferinë shqiptare, në zonat rurale të lëna pas dore nga institucionet, ku prindërit kanë marrë marrë rrugët e emigracionit ndërsa fëmijët e tyre bien lehtë pre e kriminelëve e hyjnë në tynelin e krimit që shkatërron pjesën më të bukur, më të brishtë të qenies njerëzore, fëmijërinë. Të dalësh prej asaj rruge nuk është e lehtë, por as e pamundur. Kristo ia del, e në mënyrë simbolike i jep lamtumirën të shkuarës së tij kriminale duke u vënë flakën parave të drogës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet