Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci

Jordan Daci promovon dy libra të tij mbi drejtësinë

Para disa kohësh u organizua promovimi i dy librave të avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci. Bëhet fjalë për “Të Drejtat e Njeriut”/Human Rights, Botimi IV/ Fourth Edition, Mirgeeralb, Mars/ March 2017 dhe librin “Zbatimi i të Drejtës Ndërkombëtare në të Drejtën e Brendshme: Rasti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Holandës, Italisë, Gjermanisë, Kosovës dhe Shqipërisë”, TBU Press, Mars 2017. Autori mori një mesazh urimi dhe nga Presidenti Bujar Nishani. Në promovimin morën pjesë: recensorët e librave Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prof.Ass. Dr. Afrim Hoti, Profesor në Universitetin e Prishtinës, Akademik Prof. Dr. Luan OMARI dhe profesorë të tjerë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë Ylli Shehu, Mesilda Doda, Dhurata Çupi Tyli, Rakip Suli etj.

Këto botime i paraqiten lexuesit si botime të përmirësuara, duke përfshirë shtimin e pjesëve të reja brenda kapitujve të mëparshëm, rritjen e numri të rasteve praktike të trajtuara, rritjen e peshës që zë trajtimi i problemeve të ndryshme të Drejtave të Njeriut në kuadër të Republikës së Shqipërisë (në vijim RSH) etj. Në këtë kuadër, duhet theksuar që në vijim të botimit të tretë, trajtimi i çështjeve të ndryshme dhe ilustrimi i tyre me kuadrin ligjor Shqiptar, doktrinën dhe praktikën e gjykatave Shqiptare është rritur më tej, duke bërë kështu që libri të jetë akoma më shumë i lidhur dhe i konkretizuar me veçoritë që paraqet rasti i RSH.

Po ashtu, ky botim i ri i këtij libri pasqyron të përditësuara të gjithë ndryshimet e ndodhura deri mars 2017 në kuadër të sistemit universal dhe sistemeve rajonale të mbrojtjes së Drejtave të Njeriut, duke përfshirë të dhënat statistikore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në vijim GJEDNJ) në lidhje me RSH dhe të dhëna të tjera të rëndësishme. Posaçërisht risi të këtij botimi janë temat si vijojnë: Gabimet e zakonshme në ankesat që paraqiten para GJEDNJ, Ndryshimet e protokolleve 15 dhe 16 të KEDNJ, Procedura e Gjykimit Pilot pranë GJEDNJ, Proporcionaliteti si parim themelor i së drejtës, Kuptimi i Proporcionalitetit sipas KEDNJ dhe GJEDNJ, Kuptimi i parimit të proporcionalitetit sipas Legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe GJED, Proporcionaliteti në praktikën e Gjykatës Kushtetuese Lituaneze në përcaktimin e gjobave për mospagimin e tatimeve, Parimi i proporcionalitetit në Kushtetutën e RSH, Arsyetimi ‘De plano’ i vendimeve të Gjykatës së Lartë të RSH. Rishikim i pjesëve si: Koncepti i të Drejtave të Njeriut, procedurat para GJEDNJ (sipas ndryshimeve të ndodhura), Mbrojtja e Jetës Familjare (mbi martesat midis të njëjtit seks dhe GJEDNJ), Strategjitë për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, pjesa e Edukimit, Sistemi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në RSH, pjesën e Gjykatës Kushtetuese sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe pjesën e Avokatit të Popullit sipas ndryshimeve në ligjin organik të tij etj.

Libri vazhdon të mbeten teksti bazë për lëndën “Të Drejtat e Njeriut” i disponueshëm në gjuhën Shqipe i cili paraqitet i plotë dhe me një metodologji dhe përmbajtje bashkëkohore në të njëjtat nivele me tekstet që përdoren në universitet ndërkombëtare që trajtojnë plotësisht të gjithë problematikën e të Drejtave të Njeriut dhe përdoret si tekst bazë në të gjithë universitetet Shqiptare në RSH, në disa universitete në Maqedoni, në disa universitete në Kosovës dhe nga institucione të ndryshme duke përfshirë praktikantë dhe studiues të së drejtës brenda dhe jashtë Shqipërisë. Libri është konceptuar për të vazhduar të përdoret nga studentë të fakulteteve të drejtësisë, shkencave politike, të Shkollës së Magjistraturës si dhe praktikantë të së drejtës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet