Kontributi i Shqipërisë në luftën e dytë botërore, hidhet ideja për krijimin e një instituti studimesh

Në historinë e Shqipërisë, pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore përbën një ndër ngjarjet historike më të rëndësishme kombëtare. Shqipëria u rreshtua në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe u trajtua si një aleat i cili luftoi në Kualicionin e fitimtarëve të Luftës për kontributin real që dha në këtë Luftë kombi shqiptar. Historianë vendas dhe të huaj, në vlerësimin që i kanë bërë historisë së Shqipërisë për këtë periudhë kohore dhe kontributit të vendit tonë, janë shprehur se kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik. Gjithashtu, shqiptarët, në respekt të traditës së besës së dhënë, kanë meritë dhe kontribut të veçantë si kombi që mbrojti hebrenjë dhe nuk ua dorëzoi ata pushtuesve nazistë, duke hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore si ‘komb i nderit. Në Luftën e Dytë Botërore u derdh gjaku edhe i qindra shqiptarëve ku u tregua me fakte ndihmesa shqiptare për çlirimin e popujve të Ballkanit, si dhe kontributi real i kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Për këto arsye, një grup deputetësh nismëtarë kanë vlerësuar se është e rëndësishme që të ketë një rregullim ligjor të posaçëm, me qëllim të evidentimit në mënyrë shkencore dhe institucionale të kontributit real që Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Projektligji i propozuar parashikon krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist. Projektligji përbëhet nga 22 nene, të cilat kanë caktuar parashikime ligjore për dispozitat e përgjithshme, krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, mënyrën e funksionimit të arkivit dhe bibliotekës së Institutit dhe dispozitat e fundit për afatet ligjore për ngritjen e Institutit dhe miratimin e strukturës së tij.

Në aspektin organizativ Instituti do të drejtohet nga Bordi i Institutit, si organ vendimmarrës, anëtarët e të cilit emërohen nga Kuvendi me propozimin e Institutit të Historisë, organizatat e veteranëve të LANC-it, Fakulteti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, si dhe nga drejtori ekzekutiv që emërohet nga Bordi. Nëpunësit e Institutit do të kenë statusin e nëpunësit civil, ndërsa punonjësit e tjerë do të jenë me Kod Pune. Arkivi dhe biblioteka e Institutit do të kryerjnë detyrat bazë për të studiuar në mënyrë shkencore, të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe koalicionin fitues antifashist. Struktura, organika dhe numri i punonjësve të Institutit, si institucion i pavarur, do të miratohen me vendim të Kuvendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për strukturat. Projektligji i propozuar përmban faturë financiare, pasi krijon një institucion të ri që do të financohet nga Buxheti i Shtetit. Për këtë arsye, Kuvendi, bazuar në nenin 82 të Kushtetutës, do të kërkojë mendimin e Këshillit të Ministrave për shtesat në buxhet. Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe me kuadrin ligjor në fuqi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet