Turan (Korçë)

Korçë, zbulohet varreza e epokës së hekurit gjatë punimeve TAP

Arkeologët kanë rënë në gjurmë të një vendbanimi të hershëm në fshatin Turan (Korçe). Kjo ndodhi gjatë punimeve për korridorin e kalimit të Gaszjellësit TAP. Vendbanimi i përket epokës së hekurit (shek. X – IX p.e.s) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV – V të erës sonë), duke vlerësuar materialet prej qeramike të gjetura.

Gjatë mesjetës kjo hapësirë duket që është përdorur si varrezë, duke ju mbivënë funksioneve që ka patur në periudhat e mëparshme. Menjëherë pas konstatimit të zbulimit arkeologjik , TAP ka ndaluar punimet dhe në dijeni të faktit është vënë Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA).

Përfaqësuesit e trashëgimisë kulturore të këtij institucioni kanë kryer vlerësimin e kësaj gjetje rastësore, ndërkohë që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë nisi gërmimet e shpëtimit që po realizohen nga arkeologë profesionistë. Zona është rrethuar dhe punimet për ndërtimin e TAP pritet që të rifillojnë pas një muaji, kur institucionet përkatëse të kenë përfunduar vlerësimin dhe raportin e tyre.

Neil Fairburn, Këshilltar për Trashëgiminë Kulturore në TAP u shpreh se “ekipet tona vijojnë të monitorojnë gjurmën e gazsjellësit dhe të ruajnë çdo element të trashëgimisë kulturore në përputhje me planin e TAP për menaxhimit e trashëgimisë kulturore, ligjet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira të industrisë.” Më shumë se 30 ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe arkeologë janë bërë pjesë e projektit TAP për të ndjekur nga afër ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri”.

Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun. Në korrik të vitit 2016, TAP zbuloi në zonën e Skraparit një kapitel të shekullit VI.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet