'La Traviata' ngjitet në skenën e teatrit të vlorës

Teatri kombëtar i operas dhe baletit do të ngjisë të premten në mbrëmje në skenë e teatrit ”Petro Marko” në Vlorë, operën e Verdit ”Traviata”. Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19të, sallonet aristokrate ku luhet jeta, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violetës dhe Alfredos, në operën “Traviata” të Verdit do të vijnë për artëdashësit vlonjatë me mjeshtërinë dhe talentin e trupës së artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit. Një kthim në kohë, në historinë e gjithë vënieve të “La Traviatës” në skenën shqiptare, të çon 60 vjet më parë, atëherë kur Violetë ishte e madhja Marie Kraja, ndërsa Alfredo ishte Maliq Herri. Pas kësaj shfaqje të parë, do të shënoheshin dhe shumë rivënie, kur kurtizanet e bukura nëpër vite do të ishin Nina Mula, Edit Mihali, Inva Mula, Mariana Leka, Ermonela Jahos, Eva Golemit, ndërsa Alfredot do të ishin Gaqo Çako, Hysen Koçia, Armaldo Kllogjeri, Saimir Pirgu etj. Traviata është një opera pa kohë sepse emocionet, pasioni i mrekullueshëm i historisë së saj është i tillë. Iluzioni dhe imagjinata e kësaj opere nuk ndryshon as në ditët tona, sepse ne kemi të njëjtat emocione dhe iluzione për dashurinë njësoj si edhe 200 apo 300 vite më parë. Jam fokusuar shumë tek psikologjia e karaktereve. Jam përpjekur që të bëj lidhjen mes karaktereve për të treguar historinë me sa më shumë emocione dhe në mënyrë pasionante, është shprehur më herët regjisorja Magdalena Fuchsberger.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet