Ndërron jetë aktori Bujar Lako; homazhet nesër në banesë

Ka ndërruar jetë, pas një infarkti kardiak, në moshën 68 vjeçari, ylli i kinematografisë shqiptare Bujar Lako. Ai lindi në Tiranë në 1948. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e lartë të arteve në Tiranë, 1973, karrierën e filloi si aktor në Teatrin Kombëtar.

Shpejt u njoh me filmat: Në fillim të verës i G. Erebarës dhe Perballimi i V. Gjikës. Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin Përballimi. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin Ballë për ballë. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit per rolin e Halit Beratit në filmin Gjeneral gramafoni. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se pare, per filmat Gjeneral grarnafoni dhe Ballë per ballë. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin Naim Frashëri klasi i pare, per interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë per interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin Kthimi i ushtrisë se vdekur. Në vitin 1985 fiton titullin Artist i Merituar. Në vitin 2005 ka marrë Palmën e artë si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 Cairo International Film Festival me filmin Megic Eye të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është cmimi më i madh i marë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorise A. Në vitin 2013 iu dha titulli Nder i Kombit nga Presidenti i Republikës. Homazhet do të zhvillohen nesër në banesën e tij në orën 11:00 në Rrugën Myslym Shyri, në Tiranë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet