Ndërron jetë në moshën 67 vjeçare kantautori Françesk Radi

Ylli i muzikës së lehtë shqiptare Françesk Radi ka ndërruar jetë sot në moshën 67 vjeçare. Ai qëndroi i shtruar në reanimacion për tetë ditë me radhë, ku u shtrua për shkak të një hemoragjie cerebrale. Françesk Radi kreu liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve në Tiranës. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet