Një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar/ Mesazhe ngushëlluese nga personalitete të Kosovës

Personalitet e Kosovës kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mbretëreshës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

“Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar. Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës”, shprehet Presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi Pagarushën si talente e papërsëritshme muzikore.

“Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë. Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve. Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86-vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra. Ngushëllime të gjithë artdashësve”, tha Kurti.

Gjithashtu ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u shpreh për Pagarushën se shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës.

“Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet. Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu, ajo u bë ikonë e Kosovës moderne, duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë”, shprehet në mesazhin e saj të ngushëllimit Dumoshi.

Dumoshi shton se, “ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë. Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës”.

“Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor, – tha Dumoshi.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Nexhmije Pagarushës si një humbje të madhe, por këngët e saj do mbeten të pavdekshme.

“Paska ndërruar jetë bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha! Përveç në fushën e artit dhe kulturës, ajo dha kontribut të madh edhe në emancipimin e femrës shqiptare.Ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që e kanë njohur Nexhmijen. U prehsh në paqe bilbil!” – shprehet Limaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet