''Parajsa'' indiana, nga Kalkuta në tokën e Nënë Terezës

nga Alma LLESHI

"Paradiso", filmi i regjisorit të mirënjohur indian Sudeep Ranjan Sarkar vjen në Shqipëri, si një konkurrent më se i denjë në Tirana International Film Festival 'TIFF' që do zhvillohet në datat 2-9 nëntor. "Paradiso", është një film, i cili është si komik, dhe shumë i thelle e tragjik, njëkohësisht. Edhe pse ngjarjet janë të vendosura në vitet 1960, në një qytet, diku të ngjashëm me Kolkuta në Indi, historia vjen shume e prekshme, thua se po e jeton realisht në ditët e sotme.

Në fakt, tematika e filmit nuk ka kufij kohore. Vetmia e një njeriu, i cili pasqyron perceptimin e familjes së tij, përtej heshtjes së vendosur prej atij vetë, është njëkohësisht ironike dhe e errët. Në njëfarë mënyre pasqyron zbrazëtinë e shpirtit tonë. Njeriu që jeton në dy botë. Njëra "e vërtetë" dhe tjetra "imagjinare" deri në pikën kur, të dyja përplasen me njëra-tjetrën dhe zhbëhen. Të shohësh filmin, është një ndjesi përultësie, por njëkohësisht shumë emocionale.

Regjisori, Dr. Sudeep Ranjan Sarkar është një psikolog, piktor, poet dhe regjisor filmash mjaft i njohur. Ai, deri tani, ka shkruar dhe drejtuar 4 filma. Një film me metrazh të shkurtër, "Neti Neti - Jo këtë Jo këtë", i cili ka fituar 27 cmime, dhe filmi i tij i parë me metrazh të gjatë i quajtur "Umformung-the Transformation", i cili ka fituar 19 çmime deri tani.

Filmi i tij i dytë "Paradiso" gjithashtu ka fituar disa cmime, duke perfshirë cmimin prestigjoz nga festivali i filmit Dada Saheb Phalke si regjisori më i mirë. Filmi i tij i tretë "Lust" po qarkullon nëpër rrethet globale të filmit. Pati premieren e tij botërore tek "Marche du Cannes 2018". Filmat e tij "Umformung" dhe "Paradiso" kanë debutuar edhe në Kanë 2017.

Sudeep Ranjan Sarkar është një regjisor vizionar, i cili beson në dhënien e mesazheve përmes filmave provokues. Të katër filmat e tij janë një përpjekje drejt njerëzores. Ai e trajton ekranin si një mjet ose një tablo, përmes së cilit vizionet dhe mendimet pikturohen në formë pikselash që lëvizin. Zhanri i tij është spiritual dhe eksperimental, i cili, në fakt i pershtatet aktualitetit.

Ai beson në eksperimentimin dhe hedhjen e hapave guximtare, të cilat mund të mos përshtaten me rregullat e filmbërjes, por që do vendosnin një trend të ri e rregulla të reja në filmbërje. Ai është autor i dy librave, "Loss of Thoughts" i cili është një përmbledhje e poezive të tij, mendime dhe piktura. Libri tjetër titullohet "Search of my Father", i cili është një antologji poezish në formën e një balade.

Sudeep Ranjan Sarkar ose SRS, sic njihet më së shumti në Indi, është duke xhiruar filmin e tij të katërt "Glorious Dead" në të cilin luan një aktor shqiptar, Sokol Martin Pepkolaj, në rolin e spikatur të Luciferit, krahas aktorëve të njohur gjermanë, rusë e indianë. SRS respektohet gjerësisht për filozofitë e tij, besnik i mendimtarëve të lashtë.

Në fakt, SRS po identifikohet si 'Bollivudi' i ri, i cili mund ta integrojë Indinë lehtësisht me pjesën tjetër të botës përmes filmave të tij. Sudeep Ranjan Sarkar dhe vepra e tij janë një risi në kinematografi.

Sudeep Ranjan Sarkar shprehet për filmin e tij 'Paradiso': Në film, jam më shumë një psikolog se sa një regjisor. Mendja njerëzore më ka intriguar gjithnjë. 'Paradiso', e cila nga italishtja, do të thotë "Parajsë" bën fjalë për paradokset e shoqërisë dhe të ashtuquajtures "familje". 'Paradiso' flet për dy botë paralele, të cilat qëndrojnë krahë për krahë njëra-tjetrës brenda mendjes së njeriut.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet