Kinë, Shqipëria në Forumin ndërkombëtar të bashkëpunimit dhe kulturës

Shqipëria përfiton një tjetër mundësi njohjeje nga bota për turizmin dhe kulturën që u ofron të gjithëve që duan ta njohin atë. Gjithçka është arritur falë Forumit ndërkombëtar për turizmin dhe kulturën, organizuar nga Komiteti për zhvillimin e turizmit nga qeveria e provincës Guizhou në jug të Kinës. Pjesëmarrëse, së bashku me një seri vendesh të përzgjedhura nga specialistë të fushës së kulturës dhe turizmit, Shqipëria ka hedhur një tjetër hap para drejt njohjes për kinezët dhe botën.

Vendi ynë është prezantuar në këtë Forum nga Sekretari i dytë i Ambasadës së republikës së shqipërisë në Republikën Popullore të kinës, Eduard Molla, i cili drejton sektorin në fjalë brenda ambasadës. Në forum, Molla ka prezantuar një listë të gjatë të vendeve më të njohura turistike që ofron Shqipëria. Gjithçka e paraqitur me foto dhe pamje konkrete nga jeta reale e shqipërisë, duke e sjellë vendin e vogël ballkanik si një realitet për të gjithë të pranishmit. Që nga kështjellat mesjetare, vijën e gjatë të rivierës bregdetare, alpet, mikpritjen, ushqimet bio, sigurinë dhe gjithçka për të gjithë ata që janë të interesuar të vizitojnë dhe përjetojnë shqipërinë, është përcjellë në këtë forum të rëndësishëm. Eduard Molla nuk ka lënë pa përmendur edhe mënyrat e njohjes së tokës shqiptare. “Shqipëria edhe pse kaq e vogël, ofron një larmi të pafund historie dhe kulture. Që nga mesjeta dhe deri në ditët e sotme, ke shumë për të parë dhe mësuar”, është shprehur ai në forum.

Mundësitë e shumta për të prekur tokën e shqiponjave bëjnë që të interesuarit të mos kenë asnjë problem për të shkuar atje sado larg që të jenë. Vija e gjatë bregdetare nga Adriatiku në Jon ofron mundësinë e prekjes së shqipërisë në çdo moment nëpërmjet ujit. Fluturimet e shumta ndërkombëtare në linjë ajrore janë një zgjidhje e mirë. Por edhe nëpërmjet lëvizjes me automjet nuk ka asnjë problem, kjo falë dhe infrastrukturës tepër të mirë që tashmë Shqipëria ofron për të gjithë të interesuarit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet