Shuhet ylli i muzikës 'live' Anida Take

Ndërron jetë në moshën 83 vjeçare ylli i muzikës së lehtë shqiptare Anida Take. Ajo lindi në Korçë, më 2 Prill 1934. Ka spikatur që në moshë të re për vokalin e saj të veçantë. Në moshën 17 vjeçare, në vitin 1951, është emëruar si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në estradën e Shtetit. Në këtë institucion, Anida Take ka zhvilluar plot 20 vjet aktivitetin më të rëndësishëm të karrierës së saj. Duke u përballur për çdo natë me publikun në interpretimin kryesisht të këngës shqiptare, Take u afirmua si një interpretuese cilësore dhe krijoi personalitetin e saj artistik. Anida Take e vazhdoi aktivitetin e saj artistik edhe pas daljes në pension më 1972, duke qëndruar në skenën e Estradës së Tiranës dhe në skenat e rretheve si recitaliste. Në Festivalin e 40të të Këngës në RTSH në vitin 2001, i është dhënë trofeu “Mjeshtër i Punës”. Zonja Anida Take u shqua si një artiste që këndoi “live” deri në fund të jetës së saj artistike, duke qenë e pranishme dhe e duartrokitur fort e me dashuri në shumë skena të rëndësishme të artit muzikor shqiptar. Homazhet do të bëhen ditën e premte, datë 13 janar, nga ora 11:00 deri në orën 12:00, në hollin e Radio Tiranës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet