Takohemi për një libër, fundjavë në Shtëpinë e Kadaresë

Nisma më e fundit ”Takohemi për një libër” mblodhi në fundjavë në Shtëpinë e Kadaresë nxënës të shkollave të mesme me pjesëmarrjen e ministrjes së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, studentë, nxënës ishin miq në Odanë e Madhe të shtëpisë historike. Ata shkëmbyen mendime dhe diskutuan për librin, autorët, kulturën e leximit dhe preferencat për gjini të ndryshme. Të rinjtë u shprehën të emocionuar për këtë takim leximi, sepse “Të lexosh Kadarenë në gurët ku ka lindur është jo vetëm emocionuese, por një pikë takimi e rëndësishme me shkrimtarin, pasi aty gjen të ekspozuara edhe objekte origjinale të shtëpisë së Kadaresë, mes të cilave djepi i lindjes”. Ministrja Kumbaro theksoi edhe njëherë rëndësinë e të qenit bashkë në një vend të rëndësishëm të Gjirokastrës, si “’Shtëpia Kadare’ , e cila nuk është thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por synon krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, duke krijuar qeliza të reja administrimi dhe menaxhimi në kulturë dhe trashëgimi dhe duke zhvendosur polet e kulturës nga qendra në periferi”. Ministrat u shprehën të gatshëm të ndihmojnë të rinjtë në projektet e tyre , duke nxitur njëherësh energjinë dhe dinamikën e brezit të ri, që ka rrënjët në një qytet me traditë, kulturë si Gjirokastra. Në fund të leximeve, Ministria e Kulturës dhuroi libra nxënësve dhe studentëve. Ministria e Kulturës shpalli muajin tetor muaj të leximit duke organizuar Fushatën Kombëtare të Leximit, nën moton “Takohemi për një Libër”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet