Tedi Papavrami sjell në gjuhën japoneze 'Fugë për violinë' në Tokio

Libri botohet në japonisht fill pas koncertit të suksesshëm

Telat e violinës së artistit të famshëm shqiptar Tedi Papavrami, kanë dhënë emocione të forta gjatë pjesëve që artisti shqiptar ka luajtur së bashku me pianistin François-Frederic Guy. Koncerti i zhvilluar në sallën kryesore të Tokyo International Forum në Japoni, është pritur jashtë mase mirë nga publiku i zgjedhur i kryeqytetit japonez i cili jo vetëm që ka duartrokitur fort pjesët e luajtura, por edhe që kishte mbushur plot sallën gjigande të koncerteve.

Papavrami në violinë dhe Frederic Guy në piano të shoqëruar edhe nga Orkestra Filarmonike Ural, kanë arritur të pëlqehen shumë nga publiku duke luajtur pjesët më të mira të kompozitorëve më në zë botërorë si Beethoven dhe Tchaikovski, nën drejtimin e regjizorit Dmitri Liss.

Por jo gjithçka ka mbaruar këtu pas intepretimeve me violinë dhe marrjes së duartokitjeve të shumta. Tedi Papavrami ka patur mundësi që fill pas përfundimit të koncertit të promovojë për të gjithë artëdashësit e tokios, librin e tij “Fugë për violinë”, i cili tashmë vjen me vëllimin e plotë edhe në gjuhën japoneze, marrë përsipër dhe botuar nga shtëpia botuese Fujiwara.

Në fjalën e tij përshëndetëse, violinisti Papavrami është shprehur se “ndihet jo vetëm i lumtur që interpreton për një publik kaq të zgjedhur dhe artëdashës, por edhe sepse tashmë të gjithë do të kenë mundësi të lexojnë atë se çfarë artisti ka dashur të shprehë prej shumë vitesh për të gjithë ndaj dëshirës së tij më të madhe, muzikës”. Libri është një retrospektivë e jetës muzikore e Papavramit.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet