Mbi programin e qeverisë Rama2- nga Oerd Bylykbashi

Kryeministri na ka paraqitur programin e qeverisë së tij të re. Një koleksion memosh skematike me bullet points, me pika, me te cilin pretendon të qeverisë shqiptarët për katër vite. Ky program sot është kërkesë për carta bianca. Politika ka në themel dhënien e llogarisë për atë që ke premtuar. Por me këto 16 faqe, Kryeministri nesër mund të bëjë ç'të dojë dhe asnjë shqiptar nuk i kërkon dot llogari sepse në këtë program nuk ka asgjë. Ju deputetëve te PS këtu nuk ju ka për llogaridhënie, por vetëm për numër.

Ai që në 2013 solli në politikë kriminelët, sot po rikthen hijet e krimeve të komunizmit. Në mesin e viteve 60, Gjermania filloi të dënonte zyrtarët nazistë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, 20 vjet pas luftës. Gati gati si të fillojmë të dënojmë ne sot kriminelët e komunizmit. Nuk po flas për komunizmin si sistem, ai vdiq. Po flas për të keqen dhe krimet e komunizmit nga të cilat nuk jemi ndarë. Rreth 7000 vetë, apo mesatarisht 20 vetë për çdo ditë të kalendarit të një viti, janë vrarë apo kanë vdekur në burgje e kampe. Kemi një kalendar martirësh të lirisë, por për turpin tonë, nuk kemi asnjë të dënuar për këto krime.

Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit me ato të nazizmit, i quan krime kundër njerëzimit. Ka një nen për këtë në kod penal. Ne krime naziste nuk kemi, por krime të komunizmit kemi me mijëra, ama nuk kemi asnjë të dënuar. Gjermania filloi t’i dënonte nazistët njëzet e ca vite pasi ranë nga pushteti. Në 2016 Rumania dënoi për krime kundër njerëzimit një 90-vjeçar kriminel komunist. Pra jemi në kohë ta nisim pastrimin nga e keqja me tehun e drejtësisë. Përtej hapjes së dosjeve dhe lustracionit, shqiptarët kanë nevojë të pastrojnë ndërgjegjen e shoqërisë jo me hakmarrje, por me bisturinë e drejtësisë.

Ka ardhur koha të ngremë një institucion që mbledh prova, gjurmon dhe heton kriminelët e komunizmit, nga maja e shtetit deri tek skutat e humbura e t’i dënojmë pa llafe, por me prova për ata që vdiqën e shpesh janë pa varr. Dhe në këtë institucion nuk duhet të infiltrojnë ata që krenohen me ato që kanë bërë vetë, prindërit apo gjyshërit e tyre.

Para se të flasësh për qeverisje duhet të flasësh për zgjedhjet. 25 qershori është një ditë që zhyti themelet e këtij parlamenti në llucën e krimit. Këshilli i Europës në raportin e pregatitur për Asamblenë Parlamentare, dënon praktikën e përhapur të shitblerjes së votës, presionin mbi administratën dhe zgjedhësit dhe keqpërdorimin e aseteve dhe pushtetit shtetëror dhe kërkon masat e duhura për t’I ndalur këto parregullsi të rënda në mënyrë që të rikthehet besimi I zgjedhësve.

Reforma zgjedhore eshtë prioritet absolut! Janë shpartalluar të gjitha bazat një proçesi normal që u ngritën me konsensus në dekadën 2002-2012. Asgjë e tillë nuk përfshihet në programin qeverisës. Sepse Edi Ramës i intereson administrimi banal i tepsisë, ndaj sot ju sjell përpara manualin e përdorimit të tepsisë me 16 faqe. Po reforma zgjedhore do të bëhet patjetër, përfshirë sistemin e votimit elektronik për të hequr duart e pista të administratës politike dhe kriminelëve nga vota.

Pushteti vendor është bazament i stabilitetit demokratik. Nuk është një tufë drejtorish që mund t'i shkrish e bashkosh pa marrë parasysh këtë faktor të rëndësishëm, ekuilibrin demokratik. Harta territoriale e 2014 dërrmoi pikërisht atë stabilitet.Harta territoriale tashmë është provuar që ishte vetëm për qëllime elektorale.

Nëse ka një tipar dallues të tepsisë së hallvës që gatuat katër vite në qeverisjen e shkuar, ishte destabilizimi i administratës. E nisët me zhbërjen e konsensusit politik për ligjin e Nëpunësit Civil dhe e vazhduat me masakrën mbi administratën publike. Sot keni shpallur riorganizimin e ministrive dhe institucioneve të varësisë, e cila do ta bëjë administratën të duket si tepsi hasudeje për të paktën një vit. Nuk më intereson fakti se ju do ta përdorni për të spastruar ose konvertuar në socialistë militantët e LSI. Ajo që më shqetëson është destabiliteti i administratës, rënia e efiçencës, politizimi i saj i mëtejshëm, pasiguria për vendin e punës që shpesh çon në më shumë korrupsion (nën moton: vidh ç’të mundesh se nesër nuk i dihet), dhe sigurisht stanjacioni që kjo sjell. Reforma e administratës publike është domodoshmëri për integrimin europian, por nëse ajo që bëtë para katër vjetësh nuk na paska reformuar asgjë, kjo që propozoni është formulë e sigurt për kaos. Sot Shqipëria ka nevojë për reformën e stabilizimit të administratës dhe jo çorbën që ofroni.

Të gjithë i janë turrur drejtësisë si e keqja më e zezë në këtë vend. Dhe shpesh kanë shumë të drejtë. Shumë kanë vuajtur nga kjo drejtësi. Për këtë ka nisur një reformë, që do t'i trazojë ujërat e qelbur të kënetës por zor se do t'i drenojë ato. Harrohet që drejtësia është filtri i fundit për llumin e keqqeverisjes dhe padrejtësive që prodhon administrata e korruptuar dhe e paaftë. Drejtësia jonë është filtër i bllokuar dhe i qelbur nga ky llum i administratës. Po nuk kuptuam këtë, kjo reformë drejtësie është e dështuar.

Një shqiptari i leverdis më shumë që të drejtën për pronat apo taksat ta marrë tek zyra e administratës sesa të humbasë në shkallët e gjyqësorit të reformuar. Drejtësia është garancia e fundit, jo zgjidhja fillestare. Kemi një vit që hartuam me konsensus ndryshimet kushtetuese. Pa u tharë boja e konsensusit, ju hartuat ligjet antikushtetuese dhe zutë peng me presion Gjykatën Kushtetuese. Një sistem drejtësie duhej t’i kishte themelet në tabanin solid të konsensusit politik kombëtar. Në fakt sot i ka në mosmarrveshje. Tërmetet do të vazhdojnë gjatë dhe ky sistem nuk do ketë stabilitet, aq më pak do të garantojë stabilitet. Kjo nuk e shpëton dot një reformë që boshtin e saj e ka të deformuar. Keni ngritur një sistem drejtësie sui generis që nuk egziston askund tjetër, i fragmentuar e që shpejt do të hyjë në konflikt të brendshëm. Rreziku është që ky sistem kolapson brenda 5-10 vjetësh. Nuk e shpëton kemioterapia e vetting-ut sistemin. Vettingu do të kalojë si ajo stuhia e rërës, do të vrasë kuajt e këputur, por ustallarët do mbeten në sistem sepse do të bëjnë pazar me Edi Ramën. Ne fund të stuhisë së vetting-ut, gërmadha e sistemit të fragmentuar alla-shqiptarçe do mbetet këtu. Ja ku jemi, ka një vit dhe sistemi nuk po nis dot nga funksionimi. Ndryshimet kushtetuese kanë zhbalancuar rëndë arkitekturën e sistemit kushtetues “check and balance”. Shteti demokratik egziston në sajë të këtyre balancave e kontrolleve të pushteteve. Prishja tyre çon në autokraci të Kryeministrit. E vetmja kurë është rishikimi i arkitekturës kushtetuese të shtetit me një reformë kushtetuese që ta projektojë Shqipërinë për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Ka një shpresë: quhet SPAK, dhe është i vetmi sistem institucionesh i ngritur me konsensus. Nëse vetting të nxjerr ne pension, SPAK të çon në burg për korrupsion. Por nëse SPAK bie në dorë të Edi Ramës, çdo gjë merr fund, ndaj shpresa është tek partneri ynë strategjik që nuk do ta lejojë këtë. Vetëm ashtu ministrat, deputetët, gyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të përfundojnë pas hekurave.

Ish pronarët: Nëse ata që i shërbyen me zell diktaturës dje, sot marrin pensione të larta, të përndjekurit janë katandisur në mizerje padinjiteti duke pritur këstet e kompensimit. Por dinjiteti nuk blihet me këste. Por po aq poshtërim premton manuali i tepsisë së Edi Ramës për ishpronarët. Në katër vite nuk keni dhënë asnje vendim pronësie dhe asnjë lek për kompensim. I mashtroni me tituj gazetash për lista kompensimi. Katër vite të çuara dëm.

Por më e keqja është se me ligjin e ri që miratuat i keni rishpronësuar përsëri dhe ata nuk kanë asnjë shpresë veç për lëmoshën e kompenimit të pronave të cilave ua keni ulur edhe vlerën e kompensimit. Tallje më cinike nuk ka.

E përsërisim: ligji i rishpronësimit do të shfuqizohet sapo ne të vijmë në pushtet. Tani premtoni se do rishikoni agjencitë që merren me pronat. Pra pronarët do presin përsëri katër vite të tjera deri sa të rishikoni e ndryshoni sistemin e agjencive të pronave, deri sa këto agjenci të fillojnë punën. Pra le ta marrin vesh ishpronarët se edhe këto katër vite do të fryjnë sytë duke lexuar titut e gazetave për agjencitë që reformohen por nuk do marrin asnje vendim prone.

Në përfundim, socialistët fituan një mandat në 2013 duke mashtruar dhe asgjë nga ç’premtuan nuk e realizuan. Në 2017 e rrëmbyen mandatin me paratë e drogës e të korrupsionit dhe vetëm duke folur për timon, tepsi dhe tavë. Ky manual i tepsisë tregon se çfarë hallve po ju gatuan Edi Rama shqiptarëve për katër vitet e ardhëshme.

*fjala sot në Parlament

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet