A do ketë një shtet për policinë e burgjeve ? - nga Valentin MACAJ

Ndoshta do bëjnë habi me këtë thirrje, pasi flitet për një shërbim policor me histori një shekullore, që ka kaluar nën qeverinë e Vidit, Nolit, Zogut, Enverit. Kjo agjenci ligjzbatuese e ka emrin Policia e Burgjeve dhe para disa vitesh kishte më shumë të drejta se kolegët e Policisë së Shtetit e ndërsa sot është katandisur më keq se një kompani policie private.

Faktet janë kokëforta. Ato nuk lejojnë të ndryshosh realitetin e hidhur në këtë shërbim. Pas shumë vitesh përpjekje e kërkesash demokratike, në Dhjetor të vitit 2008 u miratua në Kuvendin e Shqipërisë Ligji nr.10032 “Për Policinë e Burgjeve”. Ky Ligj, ndër të vetmit, i miratuar me unanimitet në Parlament, sillte një risi në këtë shërbim, jepte të drejta dhe cilësonte detyrimet e palëve.

Saktësonte rolet, funksionet, gradat, nivelin e pagës, ecurinë në karrierë, trajnimet, kushtet e pranimit, të drejtën e statusit të ushtarakut, të drejtën e ankimit, të drejtën e organizimit në sindikatë, formën dhe llojin e uniformës së shërbimit.

Me miratimin e këtij ligji, u prit që brenda afateve të niste implementimi i tij në favor të Policisë se Burgjeve, por ndodhi ndryshe. Institucionet përgjegjëse për miratimin e VKMve përkatëse në zbatim të këtij ligji, filluan të shtynin detyrimin e tyre me pretendimin se duhej miratuar më parë “Rregullorja e personelit....” e cila u miratua në Shtator të 2009 me Urdhërin nr.9125 të Ministrit Drejtësisë.

Ligjërisht duhej që brenda tre muajve të niste miratimi i VKMve përkatëse në zbatim të një ligji, por u prit një vit për një “rregullore”. Pas kërkesave të vazhdueshme nga Sindikata, u arrit shtesa e pagës në vitin 2010, u fitua java 40 orëshe, u njoh puna e natës, orët shtesë, orët e gadishmërisë, ditët e festës, rritja në gradë, minimizim i transferimeve larg familjeve. Ligji 10032 'Për policinë e burgjeve' ishte arritje për kohën, por fjalët e tij mbetën në letër, pasi nuk u zbatua kurrë në favor të punonjësve.

Një ndër faktorët e mos zbatimit të Ligjit në favor të Policisë së Burgjeve ishte dhe është akoma Departamenti i Administratës Publike pranë Këshillit të Ministrave, sot në varësi të Ministrisë së Inovacionit. Debatet e palëve që duhen përfshirë në përgatitjen e Projekt-Vendimit për Pagat dhe përfitimet financiare sipas gradës, vështirësisë e funksionit, kanë lënë pa paga reale mijëra Punonjës te Policisë së Burgjeve e për rrjedhojë familjet e tyre kanë mbetur përsëri të varfëra.

Por, “kukamshefthi” me DAPin e at’hershëm të Kryeministrisë e DAPin e sotëm nën juridiksionin e Ministrisë së Inovacionit në lidhje me Tabelën e Pagave në Policinë e Burgjeve sipas gradës e funksionit, vazhdon gjithnjë pa rrugëzgjidhje e përgjigje pozitive ndaj këtij shërbimi.

Vjen viti 2014 ku akoma pa u implementuar ligji i mëparshëm nr.10032, i bëhen ndryshime me anë të Ligjit nr.36 “Për Policinë e Burgjeve”. Kjo ndodh gjithnjë në Shqipëri me zbatimin e ligjeve, kaluan 25 vite kështu.

Të ikën jeta duke pritur një zbatim ligji, një zbatim vendimi apo një urdhëri të drejtë. U mbyllën 8 vite të një qeverie pa dobi për shërbimin policor në burgje dhe pritëm të nisë një erë e re pas vitit 2013. Na u premtua në tavolinën e opozitës së at’hershme që gjithçka do ndryshonte pozitivisht, që nga uniforma, mjetet e blinduara, pagat, trajnimet, motivimi në gradë, kushtet e punës etj.

Disa muaj jetuam me ëndrrën se ndryshimi pozitiv në krahasim me “errësirën” e 8 viteve të shkuara do të rilindte Policinë e Burgjeve. Për këtë, kishte një moto elektorale para 3 vitesh: “Një shtet, një Polici!”, sot është kthyer në realitet tjeter “Një Shtet një Polici e tij!”.

Policia e Burgjeve nuk gjendet këtu. Ka tre vite që shohim një Polici që i shtohet paga, merr uniformën e re çdo 6 muaj, pajiset me flotë mjetesh moderne thuajse çdo tre muaj deri edhe në marrjen e makinave elektrike “bonus” nga OSHEE. Nga shtesa prej 25% që mori në vitin e parë të Rilindjes, tani i premtohet 17% më shumë duke arritur 42% shtesë pagë në një mandat qeveritar. Nëse shikojmë mesataren e vendeve të rajonit, kjo është rritja më e madhe e pagave që nga fillimi i krizës ekonomike të 2008 për një shërbim policor.

Dhe nuk kanë bërë aspak keq, është një punë e vështirë që duhet vlerësuar e mirëpaguar. Xhelozia në këtë rast nuk ka të bëjë me kolegët tanë në Policinë e Shtetit, por një harresë e tillë që i bëhet Policisë së Burgjeve nga Qeveria, kjo është e pabesueshme.

Lihet pa uniforma Policia e Burgjeve që nga 2007 e deri më sot, e ndoshta nuk do ketë asnjë fond të parashikuar për 2017 në këtë zë, ndërkohë kolegët i ndërrojnë sipas stinës. Ngelet Policia e Burgjeve pa mjete të blinduara e mjete transporti në shoqërimet për Gjykata e Spitale kur dihet se ka elementë shumë të rrezikshëm për shoqërinë si të paraburgosur dhe të dënuar.

Mungon vakti ushqimor për policinë e burgjeve, kur i dënuari trajtohet me normë “piloti” e në fund të ditës derdhet në kosh mbi 60% e ushqimit të gatuar. Pra, shkojnë në “kazan” taksat e shqiptarëve për shkak të mosmenaxhimit të drejtë të tyre në favor të dy palëve njëkohësisht. Mungojnë kushtet elementare në vendet e punës për gjithë sektorët e shërbimit në policinë e burgjeve.

Të mungojë Paga e 13-të që është një e drejtë themelore për gjithë punonjësit shqiptarë, ky është diskriminim i pastër ekonomik. Vitin që shkoi u kthyen mbrapsht me miliona lekë fonde nga çdo sektor finance nëpër burgje, ngaqë mungonte një VKM për shpërblim fundviti. Ndoshta ato para u morën nga të tjerë padrejtësisht e tavolina e gardianëve të ligjit ngeli pa “gjelin e detit”...!

Nuk paguhet vjetërsia reale e punës në Policinë e Burgjeve, por llogaritet vetëm ajo e pas 2010 sipas një VKM vrastare të qeverisë së kaluar, kur çdo punonjës i administratës e përfiton 1% pagë për çdo vit punë vjetërsi.

Realisht jepet vetëm 75% e pagës mujore për Policinë e Burgjeve, pasi 25% nuk implementohet nga moszbatimi i ligjit nr.36/2014 për shkak të një Projekt-Vendimi që nuk po e përgatit DAPi prej 2 vitesh. Të kalojë një mandat premtues qeveritar dhe të mos ketë asnjëherë rritje page për policinë e burgjeve, përkundrazi kolegëve u rritet 42% për tre vite.

Të mos ketë asnjë fond apo projekt qeveritar për një Shkollë penitenziare shqiptare, ndërkohë kur çdo vend i rajonit e ka një të tillë, do të thotë që në këtë shërbim të futet kushdo që njeh një deputet apo ka një karton të blerë, pa asnjë aftësim profesional policor.

E në fund me dhimbje...para disa ditësh në një aksident të përgjakshëm në Korçë, humbën jetën dy oficerë policie dhe u plagosën dy të tjerë. Njëri vinte nga Kruja për në Korçë, tjetri vinte nga Vlora për në Korçë. I ndjeri Agim Besho la familjen në Krujë me qera pa asnjë të ardhur dhe një djalë student pa ndihmën e të atit.

I ndjeri Fatmir Islamaj la 4 fëmije pa asnjë të ardhur financiare në Vlorë. Por, ditën e aksidentit nuk kishte vetëm 2 oficerë viktima, ishte edhe një koleg i tyre që vdiq për shkak të një sëmundje të rëndë, Zylfi Shaholli e quanin.

Ka një punonjës tjetër që po lufton me jetën në Sarandë për shkak të një sëmundje të rëndë,një tjetër kolege po në Sarandë la punën për shkak të sëmundjes dhe ndërroi jetë para disa kohësh. Eshtë një tjetër në Lezhë që po shtyn ditët si pasojë e dëmtimeve të rënda që ka marrë nga një aksident pas daljes nga shërbimi në burgun e Shënkollit.

Ka disa familje me jetimë për shkak të vdekjes së kryefamiljarëve policë nëpër aksidente që nga Kukësi e deri në Korçë. Çdo ditë po dëgjojmë ankesa prej punonjësve të sëmurë për shkak të stresit, mbingarkesës, kushteve të vështira në vendin e punës, mungesës së ushqimit etj..etj..

Të gjitha këto ndodhin për shkak të lënjes në harresë të një shërbimi bazik policor. Policia e Burgjeve, me qëllim po diskriminohet nga segmente të caktuara shtetërore e politike në financa, uniformë e logjistikë në mjete.

Ky shërbim po tretet çdo ditë... ndaj thirrje qeverisë të reagojë sa nuk është vonë, pasi kështu humbet durimi e nuk është çudi që një ditë të afërt të kemi një tendë grevë para Komisionit Europian në Bruksel, aty ku vendosen fatet e integrimit të Shqipërisë. Kjo është thirrja e fundit për të marrë atë që meriton Policia e Burgjeve sipas Ligjit.

*Autori është Kryetar i sindikatës së policisë së burgjeve

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

2 Komentet

  1. Hermesnews  e Mërkurë 26 Tetor, 2016

    I dashur lexues, gazetaria online dhe rrjetet sociale jane nje prej menyrave me te mira te komunikimit masiv, e si rrjedhoje edhe atij institucional. Me respekt, redaksia.

  2. Aldo Hoxha   e Mërkurë 26 Tetor, 2016

    Do Ishte Me Mire Zoti Valentin Qe Keto Kerkesa Ti Benit Publike Neper Televizjone Tju Coni Shkresa Per Ankesat Tuaja Ministrit Kryeministrit Parlamentit SE Me Llafe Neper Rrjete Socjale Nuk Zgjidhet Gje