A është e vërtetë se sovraniteti i përket popullit?

nga Ardian CANIA

Është e çuditshme sesi nuk i shpëton dot lajmeve nga Shqipëria kur je larg saj. Ke një kureshtje për të ditur se si po shkojnë gjërat, sepse mendon se kjo lidhet shumë me njerëzit e tu që jetojnë aty. Kohët e fundit ka filluar të dëgjohet shpesh fjala sovranitet. Po çfarë është në vërtetë sovraniteti?! Nëse referenti është populli, kush është kuptimi i fjalës “sovranitet”. Po të lexojmë nenin 2, pika 1 në Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë , aty gjejmë fjalët:” Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit!”. Pastaj, Kushtetuta shton se Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Për kureshtje fillova të shfletoj fjalorët etimologjikë rreth kësaj fjale.

Duke lexuar këto rreshta dhe duke pasur parasysh etimologjinë e fjalës sovranitet, të krijohet mendimi se kemi të bëjmë me një hyerarki, ku lart qëndron populli dhe poshtë tij, të dërguarit për të ushtruar detyrat. Nëse do ta përshtatnim fjalën “sovran” në shqip, sipas kuptimit të saj, mund të kishim “syvren apo syvëren”! Kuptime të foljes “vërej”.

Shoh me vëmendje e me një qëllim të caktuar, vështroj me kujdes e me një synim; vëzhgoj; vë re. Dalloj me sy dikë a diçka, e shquaj, vë re; ma rrok syri, e kap. E vërejta kur kaloi. Tregoj vëmendje a kujdes për dikë, kujdesem; e vështroj. Vëreje djalin se mos rrëzohet! Vë në dukje a nxjerr një përfundim pasi e shqyrtoj mirë ose pasi e studioj diçka; vërtetoj, nxjerr.

E duke pasur parasysh këto kuptime, pyetja lind vetvetiu. A është e vërtetë se sovraniteti i përket popullit? A është e vërtetë kjo, kur popullit u hidhet hi syve me propagandë. Pas hirit e ka radhën sulmi i egër me pahina, pamje dhune, lajme dhune, lajme që nuk ngjallin shpresë apo nuk tregojnë të vërteta. Kohët e fundit dëgjohet dhe lexohet më shpesh fjala “Post-truth”, pas së vërtetës. Harrohet se vetë shoqëria ka jetuar pas së vërtetës. Le të marrin ngjarjen që ndodh si një e vërtetë, domethënë “e bëra ”. Ata që përjetojnë ngjarjen apo që janë dëshmitarë do ta tregonin me fjalë apo shkrime atë. Janë ata që e kodifikojnë ngjarjen e ndodhur. Të gjithë të tjerët do të duhen t’i përmbahen si të vërtete që çfarë është kodifikuar tashmë.

Kështu ata që ndeshen me informacionin janë gjithmonë pas ngjarjes dhe së vërtetës. Deri këtu marrim si të mirëqenë se ata që e kodifikojnë ngjarjen janë të drejtë dhe të aftë për ta kodifikuar në informacion këtë ngjarje. E kur lajmi i ngjarjes kodifikohet qëllimisht në mënyrë të rremë?Kur media ka si qellim të fshehë të vërtetën, duke iu shërbyer propagandës të të dërguarve dhe përfitimeve të ngushta, a mund të ushtrohet sovraniteti nëpërmjet të dërguarve? A ka sovranitet një popull kur jeta e tij shitet e blihet në treg të zi? A ka sovranitet kur të dërguarit, administrata dhe zyrat e shëtit, sillen sikur të ishin organizatë e fshehtë, ku është e vështirë të merret vesh se çfarë ndodh në brendi të saj dhe çfarë vendimesh merren? A ka sovranitet një popull kur të dërguarit e tij vetëshpallen kalorës që duan të kalërojnë popullin? A ka sovranitet një popull kur në vende pune përzgjidhen dhe i shërbejnë analfabetët e partive?!

A ka sovranitet një popull kur ia përndjekin njerëzit e dijes dhe vetë dijen? A ka sovranitet një popull kur nuk ka spitale dhe mjekë, por plot me falxhorë? A ka sovranitet një popull kur nuk pyetet asnjëherë?

A ka sovranitet një popull kur i vidhet pasuria kombëtare, sorollatet sa në një zyrë a një tjetër, nuk i jepet drejtësi nga punonjësit që ai ka dërguar të ushtrojnë sovranitetin e tij? A ka sovranitet kur paratë e popullit vidhen dhe bëhen rrush e kumbulla për qejfe zyrtarësh dhe për miqtë e tyre? A ka sovranitet një popull kur të dërguarit e tij japin leje për monopole, që bëjnë çfarë të duan me shërbimin, të cilin do të duhej të jepnin? A ka sovranitet një popull kur forca ligjore e të dërguarve të tij është e pamëshirshme ndaj popullit dhe përkëdhelëse ndaj miqve, kushërinjve, fisit të tyre? A ka sovranitet një popull kur është i lirë të iki nga vendi, por nëse dëshiron të kthehet, duhet të kalojë nga zyra e partisë? A ka sovranitet një popull kur askush nuk i jep llogari, por bezdiset nga pyetjet e tij?

A ka sovranitet një popull kur të dërguarit e tij fillojnë ta shajnë, ta fyejnë dhe t’i bëjnë moral? A ka sovranitet një popull kur të dërguarit e tij edhe pse gëzojnë shumë rehati në detyrë, fillojnë të mendojnë se ata si përfaqësues meritojnë një popull tjetër? A ka sovranitet një popull kur votat ia vjedhin gjithmonë gangsterët? A ka sovranit një popull i varfër, tek sa sheh se të dërguarit e tij janë bërë miliarderë thjesht me rrogë shteti?

Një populli sovran nuk i duhet një grusht t’i bjerë malit që s’ban za. Ai është vetë në majë të malit! I duhet vetëm të vendosi kur ta ushtrojë energjinë e tij potenciale të lartësisë dhe t’i japi atë që meritojnë atyre që e kanë prerë në besë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Arbana  e Martë 9 Janar, 2018

    Mese e drejte pyetja: A ka sovranitet një popull kur askush nuk i jep llogari, por bezdiset nga pyetjet e tij?