A ka humbur besimi publik tek politika shqiptare ?

nga Melsen Kafilaj

Që prej praktikës demokratike greko-romake e deri tek demokracia përfaqësuese e ditëve tona përvoja ka treguar që elementi “besim” i dhuruar me vullnet të lirë prej trupit politik në drejtim të të zgjedhurve është njëelement kontraktual shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e Demokracisë dhe funksionimin e sistemeve-eksperte në përgjithësi.

Një sistem-ekspert nuk mund të funksionojë kurrësesi si duhet, nëse tek ai nuk “investohet” besimi publik. Por ç’është besimi publik, lind natyrshëm pyetja ?! Pra se të shpjegojmë “besimin publik” po jap fillimisht definicionin e termit “besim”. Po ti referohemi “Oxford English Dictionary”përkufizimi që jepet për këtë fjalë është: ”konfidencë ose një varësi frymore në cilësitë dhe atributet e një personi, gjëje, apo në të vërtetën e një pohimi të caktuar”.

“Besimin publik” sociologu britanik Russell Hardin e definon si një marrdhënie të veçantë ndërmjet dy palëve, në lidhje me një veprim apo një varg veprimesh që kanë të bëjnë me të Mirën Publike (Common Good). Në një sistem demokratik të përgjegjshëm dhe llogari-dhënës, kërkimi me ngulm i të mirës publike nga ana e trupit politik ndaj të zgjedhurve është një e drejtë legjitime e buruar prej besimit publik dhe Konvenantit Politik ndërmjet palëve.

Por besimi publik, nuk nënkupton faktin që të zgjedhurit duhet të heqin dorë nga interesat e tyre për të përmbushur interesat e trupit politik. Jo, aspak! Besimi publik shpreson që brënda interesave të tyre të inkorporohen edhe interesat tona si Popull. Dhe trupi politik ka të drejtë të kërkoj llogari. Por ç’ndodh kur në një sistem politik politikanët shohin vetëm interesat e tyre personale dhe nuk i kushtojnë aspak rëndësi të mirës publike?

Atëherë, ler të vijmë në Albanistan. Ka 26 vjet dhe në këtë vënd ”të bekuar nga Zoti” prej politikanëve tanë nuk është shqitur ende nga goja fraza ”jemi vend në tranzicion”. Përse ? Sepse në këtë vënd nuk punohet, por bëhet sikur punohet. Në këtë vënd vidhet. Vidhet natën dhe vidhet ditën. Me torbë dhe me thasë. Me allishverishe të vogla e me tendera të mëdhenj. Me koncensione e ngadonjëherë edhe shitje të burimeve minerare. Por këtu askush nuk mban përgjegjësi morale, politike dhe legale për asgjë.

Këtu ndiqet pikë për pikë motoja spartane: ”Rasti të bën hajdut. Shfrytëzo rastin.” Dhe kusaria proverbiale që e përmëndte dikur Budi i Madh, si mjet mbijetese është kthyer në modë“ si Dora e Luksit, bejlerbej-ve dhe sarajeve të mëdha”. Aq sa termi “hajdut” është hequr nga fjalori i të folmes së përditshme dhe është zëvëndësuar me termin “politikan”. Politikanë të kthyer në “Desmodus Rotondus” (lakuriqë-vampirë) të popullit shqiptar. A ka menduar njeri për të mirën publike këto 26-vjet?!

Pyetja retorike e përmban përgjigjen brënda. Meqë politika është sistem dhe në vetvete përmban një sërë nënsistemesh të tjera të ndërvarura prej saj atëherë ler ta shohim politikën në raport me sistemet e tjera si: sistemi i drejtësisë, ai shëndetësor, arsimor, etj. Duke qënë se shëndetësia, arsimi, drejtësia, etj janë mallra publik dhe në këtë kontekst edhe një e mirë publike, na rezulton që sistemi politik që i ofronështë jo-efektiv, i mbërthyer nga korrupsioni dhe i papërgjegjshëm për shërbimet e veta.

Kjo vlen për të tre sistemet e lartpërmëndura. Gangrenizimi i sistemeve, paralizimi dhe mosfunksionimi objektiv i tyre, ka sjellë për pasojë edhe humbjen e besimit publik nga ana e trupit politik. Një sistem arsimor,drejtësie dhe shëndetësor të cilët në fakt lënë shumë për të dëshiruar. Një farsë e madhe është luajtur edhe me sistemin e punësimit. Të paguash për të hyrë në punë?! A ka gjë më të ulët në zinxhirin e marrdhënieve socio-ekonomike?! (Presupozohet qe Shqiperia eshte ne fazen kapitaliste…Por ne kapitalizem nuk paguhet per te hyre ne pune, por per te shitur fuqine punetore, dmth krahun e lire te punes.)

Aty ku funksionojnë ende sekserllëqet, zarfet “për Shefin” apo lidhet nepotiko-klanore dhe fasadat na pasqyrojnë sikur jetojmë në “Ishullin e Lumtur” të F.Backon-it, ajo shoqëri duhet të mendoj seriozisht për veten e saj. Por çfarë duhet të bëjmë, lind natyrshëm pyetja ?!

Si çdo gjë tjetër, edhe besimi publik është i kushtëzuar dhe i limituar. Rënia e tij tek subjektet politike aktuale mendojmë që është e përligjur dhe e justifikuar qoftë moralisht qoftë edhe ekzistencialisht. “Salus populi, lex suprema esto” kumtonte dikur me të madhe Ciceroni politikan. Por ajo që e shpëton një Popull është vet Populli ,ravijzojmë ne të rinjtë. E trumbeton qartë edhe kushtetuta më demokratike e botës, Kushtetuta Amerikane.

Et concludam, konstatojmë se trupi politik e ka humbur besimin publik tek politika shqiptare sepse kjo e fundit i ka vrarë Shpresën. Këtë e konfirmon më së miri së fundmi,“taborri” në progresion rritës i të papunëve, emigrimet masive të shqiptarëve në botë dhe rinia shqiptare, kjo forcë vitale e ndrydhur substancialisht në kuti-shkrepset e “Call Center-ave”.

Të gjithë kanë nevojë të besojnë diku dhe në diçka që të prosperojnë dhe të ecin përpara. Dhe njerëzit udhëhiqen nga Shpresa ! Këtë nënkuptonte Krishti kur thoshte që:”njeriu mund të rrojë edhe me frymë…” Por lulëzimi i këtij vëndi nuk mund të bëhet me fjalë. Duhen burra patriotë dhe idealistë madje edhe paksa të çartur që ti vënë krahët, jo kazmën për ta përlindur Shpresën dhe për ta mbrothësuar këtë tokë, ashtu si ëndërra dhe amaneti i papërmbushur i Iluministëve tanë të parë!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet