Anetarët e ardhshëm të Bashkimit Europian po humbasin durimin

Serbia 10 vite. Mali i Zi 11 vite. Maqedonia e Veriut 14 vite…

Kaq kohë kanë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë ngecur në stadet e ndryshme të aplikimit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, sëbashku me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, që janë në fillesat e rrugëtimit.

Kështu nis artikulli analitik në quartz.com që evidenton atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar pasojat që mund të ketë një vonesë e mëtejshme në avancimin e procesit integrues.

Artikulli evidenton se Bashkimi Europian po përgatitet për një nga proceset më vendimtare zgjedhore në histori, në fund të këtij muaji. Nga ana tjetër, pakënaqësitë që kanë ndaj Bashkimit Europian vendet që janë në proçes anëtarësimi, sipas artikullit, reflektojnë edhe ndasinë e problematikat që ekzistojnë në union.

“Por vendet e Ballkanit Perëndimor duket se po e humbasin durimin. Sondazhet tregojnë se 26% e popullsisë së pyetur në rajon shprehen mosbesues nëse vendi i tyre do të arrijë ndonjëherë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Madje, disa politikanë në Serbi kanë sugjeruar që vendi i tyre të tërhiqet nga proçesi” vijon artikulli.

Ky frustrim mund të përkeqësohet nëse Bashkimi Europian nuk hap formalisht bisedimet për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor, diçka që Komisioneri Europian për Zgjerimin është besimplotë se do të ndodhë, shkruan më tej Annabelle Timsit në artikull.

Po ashtu, evidentohet ajo që po ndodh me interesat ruse, kineze e turke ndërsa paralajmërohet se situata mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Krerët evropianë thonë se anëtarësimi është një proçes i ngadalshëm por i vlefshëm që përfundimisht do të sjellë prosperitet më të madh dhe paqe në një rajon që ka pasur shumë pak nga të dyja. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë të gatshëm të mbajnë premtimin, por është e paqartë për sa kohë dhe kush do të rritet ndërkohë” përfundon artikulli.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet