Cinik si Ditmiri, dështak si Ditmiri ...

nga Bledi Mane

Të mërkurën e parë të prillit 2019 diku andej në afërsi të xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, kishin kërcitur dy lloj sherresh e zënkash. Jashtë parlamentit në rrugë, militantët e opozitës rriheshin me njëri-tjetrin fizikisht. Me njëri-tjetrin kacafyteshin verbalisht brenda parlamentit edhe qeverisësit socialistë. Media si gjithmone u kushtoi hapësirë lajmeve por pak më me hatër përkëdheli atë shpërthimin brenda maxhorancës. Ish ministri i jashtëm ia kishte bërë 8 me 2 Edi Ramës, ish ministri i jashtëm me fjalimin e tij në parlament shkundi e tundi dynjanë!

Më shëmbëllen me Astrit Patozin ky Ditmir Bushati. Ose më saktë shëmbëlltyrat e këtyre të dyve, janë poçat njëpërdorimësh të pushtetit që kur i flakin kujtojnë se përvëlojnë ambientin por thjesht plasaritin paretet e vetes së tyre. Dhe tipa si keta te dy ke shumë nëpër partitë politike të këtij vendi që katapultohen e bëjnë karrierë jo për merita të veçanta apo intelektualisht të rafinuar por janë as më shumë e as më pak puthadorë dhe servilë kryetarësh.

Urdhrazbatues dhe bërrylavënës profesionistë të errësuar nga sytë deri në momentin që ua pinë lëngun dhe kur i jashtëqisin në rrugë, hapin sqepin dhe fillojnë belbëzojnë si oponentë brenda kasolles ku deri dje nuk lejonin të tjerë të dilnin jashtë parimeve të kryetarëve. Dhe kryetarët argëtohen si me lolot e cirkut me këta e nëse këta e teprojnë me oponencën e tyre të sforcuar, kryetarët i kërcënojnë me hapje dosjesh, kallëzime penale, kërcënime fizike sepse deri dje kanë qenë në pozicione kyçe të pushtetit dhe kryetarët ua dinë vjedhjet, dallavaret, yjneret.

Dje qeveria u gëzua se brenda opozitës filloi lufta brenda llojit e ndërkohë veç hidhërimit edhe opozita u gëzua se brenda maxhorancës filloi krisja e rradhës. Ditmir Bushati shihet si uragani i një lëvizjeje për të dobësuar dhe përmbysur Edi Ramën dhe opozita e di mirë tashmë se i vetmi shkatërrim kësaj qeverije i vjen vetëm nga brenda, nga të vetë. Dhe ne mileti taksapagues e votues gajasemi tek shohim shpresat e varura të opozitës dhe oponencës te Ditmiri që këto 5 vite si ministër i jashtëm nuk ia mbushi dot mendjen Brukselit për caktimin e datës së hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ditmiri që kurrë nuk i kërkoi Washingtonit liberalizimin e vizave amerikane për shtetasit shqiptarë. Ditmiri që 5 vjet rresht hante paidhaqe me xaxiq dhe nuk e kullandrisi kurrë atë marrëveshjen bajate të Detit me Greqinë. Ditmiri, deputeti i Shkodrës që 5 vitet e fundit e katandisi zonën e tij elektorale në therrtore vrasjesh dhe gjobëvëniesh. Ditmiri që mbushi ambasadat shqiptare nëpër botë me krushqitë dhe dashnoret e pronarëve të mediave dhe opozitës. Ditmiri me diplomacinë e tij që kurrë nuk promovoi Shqipërinë dhe nuk solli sikur një korporatë të huaj të investonte në vendin tonë.

Ah Ditmir, Ditmir. Nuk ngjiz e nuk ngjit dot. Nuk ysht e nuk vë në sedër askënd të të ndjekë në sipërmarrjen tënde të fundit. Ti brenda Partisë Socialiste mbetesh thjeshtë një tjetër Kastriot Islami, një tjetër Ben Blushi, Arben Malaj... Ti u vetëpërdore aq shumë me koshiencë të plotë në kohën e duhur, në vendin e duhur nga personi i duhur ndaj mos u lodh kot të rilindësh nga e para. Thjesht leri llafet dhe ngri dorën të votosh kur të marrësh urdhërat. Në partinë tënde urdhërat zbatohen, pastaj komentohen. Ty ta piu lëngun Rama ashtu siç ia pimë ne lëngun Edi Ramës çdo ditë!

Shënim i rëndësishëm/ Ti dështove Ditmir, dështove 5 vjet rresht e nuk do mbahesh mend për asgjë. Madje edhe raporti seksual që supozohet se pate në Brazil nuk rezultoi i vërtetë. Të akuzoi pa bazë Sali Berisha ndaj ky i fundit duhet ti kërkoi falje transeksualit Alahambra Carlito Dominguez!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet