'Diplomaci Ekonomike' apo 'Ekonomi Diplomatike' - nga Arben MANAJ

Orbitimi i Ramës rreth trupit diplomatik për të mbjellë tek ta idenë imediate dhe nevojën ulëritëse të vendit për investime të huaja, po merr trajta qesharake, por edhe shqetësuese, për shkak të paftësisë për të zënë rrënjë si ide e implantuar.

Është qesharake, pasi nuk ka sens logjik dhe financiar të sjellësh tërë ambasadorët kudo që janë për t’u përsëritur një ide të qartë, që s’ka nevojë për rishpjegime, pasi intelektualisht është fyese, për audiencën diplomatike dhe jo diplomatike, të thirrur nga fundet e botës, por edhe për kapacitetin diplomatik nëse nuk e kupton misionin e ngarkuar më herët.

Aq më tepër, që në kohën e ERTV-së apo daljeve rutinë me filmime të tipit ‘selfie’ me sfonde bregdetare apo biblotekare, kryeministri dhe shteti shqiptar mund t’i kursenin arkës së vobektë të diplomacisë shqiptare, shuma të konsiderueshme financiare për udhëtime të tilla shpurash diplomatike.

E them këtë dhe është shqetësuese njëkohësisht, pasi diplomacia shqiptare, dukshëm vuan për fonde për trupin diplomatik dhe funksionimin e tyre të dinjitetshëm, pasi nuk ka sesi shpjegohet që diplomatët shqiptarë nuk po bëjnë diplomaci ekonomike, por ekonomie diplomatike, në kundërshtim dhe injorim flagrant të udhëzimeve te kryeministrit.

Praktikisht, të detyruar apo jo, janë shndërruar në “lypës” fondesh dhe parash nga komuniteti i vendeve, ku shërbejnë, (dhe kjo ka qenë praktike e kahershme), për të financuar ceremonira butaforike, nacional-romantike e demode, si ato me rastin e Flamurit dhe Festave Kombëtare, ku më shumë mblidhen pa asnjë efekt diplomatik, me shumë shqiptarë, sesa të huaj dhe vendas, një pjesë syresh të fiksuar në kompleksitete të frikshme daljesh nëpër Facebook a platforma të tjera të medias sociale, si të ftuar nëpër aktivitete ambasadash.

Thënë kjo, është e rëndë për imazhin e diplomacisë shqiptare që të përflitet nëpër media sociale për takimet e tyre për të lypur lart e poshtë nëpër komunitet dhe biznesmenë ose jo, 2 mijë paund këtu e 2 mijë aty, për kësi aktivitete jorentabël në aspektin diplomatik.

Do të ishte më e udhës, që këto fonde të mblidheshin dhe jam i sigurt që edhe bujaria do të kishte qenë më evidente, nëse këto fonde do të kërkoheshin, (që nuk ka përse të kërkohen në fund të fundit për hir të së vërtetës), për organizimin, po them të një forumi për t’i shpjeguar komunitetit të biznesit kudo ku shërben, apo në Britani p.sh, për avantazhet e investimeve të huaja në Shqipëri.

Apo, nëse me ato fonde do të ftohej një media e rëndësishme e huaj për të raportuar për Shqipërinë dhe shanset që ofron Shqipëria e 2017-ës e më tej, në fushën e turizmit, siç promovohet Shqipëria dhe meritat e Kryeministrit të ditës në shkrime të sponsorizuara dhe financuara nga buxheti i shtetit shqiptar, p.sh.

Apo, qofte edhe për të ftuar një kompani turistike të njohur apo një përfaqësues të ndonjë linje të famshme loë-cost britanike apo evropiane në Tiranë, apo fundja edhe ndonjë linjë fasonerie apo ‘call center’, meqë Britania do na dal edhe nga BE-ja .

Kjo çështja e dinjitetit financiar të diplomacisë është imediate, pasi është e frikshme të mendosh për një staf diplomatik, që mund të jetë kokëlart dhe xheplotë, përpara një investitori potencial, kur në faqen e Facebook-ut të ambasadës, reklamohet kontributi i ndërtimtarëve shqiptarë për lyerjen dhe arredimin e selisë së ambasadës shqiptare!

Apo, kur në aktivitete, ku promovohen shqiptarë të suksseshëm dhe biznesmen nëpër botë apo këtu në Britani, të cilët kryeministri Rama, me të drejtë retorikisht, i ka për qejf, t’u referohet si potencial i fuqishëm për vendin, siç ishte rasti së fundmi në Londër, e ku përfaqësia diplomatike, nuk denjoi të çonte asnjë diplomat, ndërkohë që siç lexohet në median sociale, argumentueshëm, janë më shumë të angazhuar në telefonata, për marrje parash për të financuar ndonjë pritje surogato, në ndonjë hotel të Londrës.

Sa i përket diplomacisë ekonomike, për të cilin përgjërohet edhe nga halli kryeministri, pasi i besoj deklaratës së Ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, kur u thotë diplomatëve se, “nuk më keni sjellë asnjë investitor të huaj këto katër vjet”, sërish më duket e pakuptueshme, sesi në përfaqësitë diplomatike shqiptare nuk aplikohet me fuqishëm dhe më me profesionalizëm se dikur, praktika e atasheut tregtar, siç ka qenë në kohën e komunizmit.

Por e kam fjalën për atashe tregtare të mirëfilltë, siç me vjen ndërmend, Agim Fagu në rini të vetë.

Dhe meqë jemi tek gjetja e praktikave të duhura dhe njerëzve të duhur për të bërë diplomaci ekonomike dhe jo vetëm, shefat e diplomacisë shqiptare, lipset të dërgojnë në ato vende, ku kanë rëndësi strategjike dhe ku mungesa e investimeve të këtyre vendeve në Shqipëri është nën ‘nivelin e detit”, dhe për të mos u parë kurrëkund, njerëz që janë adapt dhe mund të prodhojnë rezultate.

Kryeministri kërkon me të drejtë rezultate konkrete, dhe nëse vërtetë investimet e huaja në vendet, ku shërbejnë janë një pjesë e “job description” të një kryediplomati dhe çdo diplomati të specializuar, në fushën ekonomike, atëherë përse nuk aplikohet sistemi perëndimor i “appraisals”, thënë në mënyrë të perifrazuar; dhënia e llogarisë për objektivat e marra një vit më parë dhe krahasimi i rezultateve në vitin që thirresh të japësh llogari.

Këto praktika i aplikon çdo institucion serioz perëndimor. Edhe në BBC kur kam punuar atje, e njëjta praktike përdorej dhe përdoret për çdo nivel punësimi. Dhe kjo s’ka përse të mos përdoret edhe në diplomacinë shqiptare, me theks të veçantë, në atë ekonomike.

Dhe mbi të gjitha, t’i gjendet punës njeriu. Pashë me interes të veçantë praninë e ambasadorit shqiptar në Londër në negociatat e Kretës mes shefave të diplomacisë shqiptare dhe greke dhe nisur nga ajo që di për kryediplomatin shqiptar në Londër, si një njohës shumë i mirë i çështjeve greke, do ishte më e natyrshme dhe produktive, që ai të ishte në postin diplomatik në Athinë sesa mijëra km larg, të mbulonte Athinën në kurriz të Londrës.

Në fund të fundit, për hir të interesit të marrëdhënieve me Athinën, le të sjellin Paskal Milon apo Auron Taren në Londër, se të paktën njohin historikun e marrëdhënieve diplomatike dhe arkivat e këtij vendi, plus edhe kontakteve të këtushme, bie fjala.

E nëse do aplikonim edhe precedentin e Visho Ajazit, ish-shefit të shërbimit sekret shqiptar, si kandidaturë për ambasador në NATO, si shprehje e mos-kompleksitetit ndaj bindjeve politike te Kryeministrit, por aftësisë profesionale të një diplomati dhe bërjes së shtetit, le të risjellin edhe Mal Berishën, se të paktën ka bërë ca gjëra në Londër, ku ka ruajtur se paku, kohezionin në komunitetin shqiptare të këtushëm, ku spikat edhe vënia e bustit të Skënderbeut, meqë po hymë në vitin e tij, si iniciativë të përzemërt të Kryeministrit kryediplomat.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet