Ndryshimi është i vështirë

Doriana Metollari

Hermesnews - ... Por mbetet ilaçi i vetëm për një shoqëri që ende ec me slloganin jemi miq prandaj mos më kundërshto. Kam frikë se kjo ka krijuar një mbyllje të frikshme tek njerëzit. Në fakt, mbyllja është sfidë, që duhet të fillojë të trajtohet që në kopshte me fëmijët. Psikologët dinë të japin shumë këshilla për këtë. E kuptueshme që shoqëria shqiptare është në këtë pikë, duke parë historinë e saj. Duhet që mjegulla të shpërbëhet dhe pak nga Shqipëria, besoj se pas kësaj do të shohim gjëra të mrekullueshme atje, thotë një miku im. Duke parë energjinë dhe moshën e re që ka Shqipëria nuk besoj se do të duhet shumë kohë për këtë. E kundërta e mbylljes këtu është dominimi i tjetrit. Në lartësinë e syrit, në pozicione të barabarta është e vështirë ta kultivosh marëdhënien, por jo e pamundur. Do kohë dhe durim. Mbi të gjitha vullnet dhe pozitivitet. Koncepti i lirisë shpesh herë është i gabuar. Ka njerëz që nuk ndjehen të lirë, nëse nuk dominojnë tjetrin. Ka drejtorë që mendojnë se kanë të drejtë të ofendojnë. Po shqiponjën ku e ke ?, i tha njëherë një funksionar shteti vartëses që kishte veshur fustan të kuq. Kjo e fundit u mbyll duke qarë për disa minuta të tëra brenda në tualet. Ndryshe nuk ndjehen drejtor pa vënë vënë egon e vet mbi atë të tjetrit dhe as nuk fillon të dialogojë po nuk e pa si një betejë për t'u fituar, apo si garë apriori me tjetrin. Batuta të tipit ti s'kupton prandaj dëgjo të çfarë të them, janë normale. Shkurt, shoqëria shqiptare i lë shumë pak hapësirë të ndryshmes. Fatkeqësisht e ka problem të pranojë kur dikush tjetër ka të drejtë në përgjithësi, sepse ka frikë të dalë nga guacka e vet. Vështirësia qëndron pikërisht tek kërkesa minimale që njeriu ka për veten e tij dhe energjitë që u jep pa hesap gjykimit të të tjerëve. Nejse, unë nuk dua të futem këtu, me mjafton të ndalem tek komunikimi i vakët. Në pjesën më të madhe të kohës, njerëzit preferojnë të marrin, kur dikush u kënaq egon dhe japin vetëm kur shikojnë se janë në një mendim me tjetrin. Kjo është rruga më e lehtë, por është dhe ajo që të rrit më pak, dhe ul sigurinë në vetvete. E keqja është se mbyllja shkakton përherë agresitet shumë të fortë në përballje me botën dhe refuzimi i të ndryshmes nuk bën gjë tjetër veçse ngadalëson zhvillimin e shoqërisë dhe lirinë e mendimit. Unë jam e prirur të besoj se ka gjithmonë zgjidhje dhe nuk vendos të heq dorë kollaj nga njërëzit. Jam e sigurt se rruga jonë është ende e vështirë, por unë nuk besoj kjo e errëson të ardhmen. Zgjidhja është gjithmonë tek lulet e para pas dimrit. E pra këto lule janë, tani duhet vetëm të kemi besim dhe të provojmë prapë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet