Europa dhe emigrantët

nga Melsen Kafilaj

Kur e pyetën kryearkitektin e Bashkimit Europian Jean Monnet se nqs do ti jepej edhe njëherë mundësia për ta mishëruar këtë projekt nga se do ta niste fillimisht, ky i fundit pa ngurruar aspak u përgjigj: “Nga Kultura”!-Një përgjigje e cila në atë kohë nuk u mor edhe aq seriozisht por që është me shumë peshë për aktualitetin e kohës sonë.

Në fakt, edhe problemi i refugjatëve muslimanë që po dynden nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme drejt Europës krahas të qënit një problem humanitar është gjithashtu edhe një problem kulturor. Mbyllja e kufijve, ngritja e telave me gjëmba dhe e mureve sociale nga ana e disa qeverive europiane dëshmoi qartazi që Europa i vuan ende neurozat e vjetra nacionaliste dhe e ka të vështirë që Tjetrin ta përfshijë dhe integrojë në komunitetin e saj shpirtëror dhe kulturoro-social.

Muslimani fqinj, e shtrëngon qytetarin e krishterë për takimin me një realitet konkurrues besimi ndërsa qytetarëve sekularë europianë iu sjell në vetëdije fenomenin e një religjioni i cili shfaqet në publik dhe është jo edhe aq i pranueshëm për perceptimin perëndimor. Kjo përplasje koncepsionesh, praktikash dhe botëkuptimesh por edhe legjionizimi i tyre në drejtim të Europës me valën e refugjatëve muslimanë solli madje edhe reagimin e Atit të Shenjtë i cili deklaroi që “Europa po përballet me një pushtim arab”.

Por çfarë është vallë ky “pushtim arab” nëse dëshifrojmë mesazhin papal veçse “një pushtim kulturor”?! - Ati i Shenjtë u ra kambanave. - Por a ka më vlerë motoja e Bashkimit Europian “Unitas et Diversitas” nëse Tjetri divers nuk bëhet pjesë e këtij proçesi integrues fizikisht dhe kulturalisht por lihet jashtë duke u hequr një vijë demarkacioni dhe identifikuese që profesor Etzioni e përkufizoi si “NE”dhe “ATA” ?!

“Tkurrja”sociale europiane është gjithashtu një rrjedhojë e çështjeve të saj të brëndshme dhe të sigurisë. Sulmet terroriste në Paris dhe alarmet për ngjarje të tilla të ngjashme në kryeqytete të tjera të Europës ka bërë që vëndet europiane të jenë shumë të “ndjeshme”ndaj çështjes së emigrantëve. Frika se mes refugjatëve të luftës mund të ketë me qindra elementë të infiltruar të grupeve terroriste si ISIS,Al Nusra, Al Shabab etj ka bërë që qeveritë europiane të marrin masa parandaluese (Greqia, Italia), reduktuese (Gjermania) madje edhe bllokuese (si Hungaria,Sllovakia dhe Austria).

Në Samitin e Berlinit dhe në kuzhinën politike të Brukselit u gatua e ashtuquajtura "menu" e zgjidhjes europiane të problemit në fjalëë.Një recetë politike me karakter të përkohshëm dhe afatshkurtër ashtu siç vetëm europianët dinë të japin. Por sa efikase mund të jetë kjo zgjidhje brënda një Unioni i cili vuan nga mungesa e vendimarrjes në unison dhe është i paaftë për tu shfaqur si një njësi unike në rrafshin e jashtëm?!

Sepse kur vjen puna tek problemet ekonomike, politike dhe krizat humanitare (si kjo e refugjatëve) përvoja na dëshmon se aktorët shtetëror sillen sipas arsyes shtetërore dhe interesave personale dhe jo sipas logjikës së bashkësisë dhe veprimit kolektiv.

Pas Britanisë së Madhe e cila kërkoi një status të posaçëm brënda Unionit, disa shtete po marrin në konsideratë madje dhe opsionin e daljes (Ceki,Holandë etj). -Kjo tregon që gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë brënda Bashkimit Europian. Që prej minimit të projektit të Traktatit Kushtetues në 2005, Bashkimi Europian ka 11 vjet që ecën mbi gurët e zjarrit.

Problemi humanitar i refugjatëve krahas të qënit një problem kulturor dhe sigurie paraqet gjithashtu edhe një problem ekonomik. E thënë më artistikisht, në sofrën e Orientit ku hanë drekën mbretërit, në Perëndim kush do ta paguaj këtë faturë?! Greqia po duron për shkak të detyrimeve të vjetra ndaj hall-zgjidhësit gjerman. Ndërsa Turqia, vendi me shumicën dërrmuese të emigrantëve po e mban këtë barrë sociale por ende nuk i është dhënë çeku “i premtuar” prej 6 mln $ prej Bashkimit Europian.

Ardhja e refugjatëve në Europë dhe akomodimi i tyre nëpër kampe dhe qëndra grumbullimi paraqet një barrë ekonomike dhe një kosto financiare e cila do të nxirret sigurisht prej taksave të taksapaguesve europianë. Kjo ka sjellë për pasojë dy fenomene negative: rritjen e valës së protestës dhe zemërimit nga ana e qytetarëve europianë dhe “lulëzimin” e partive me frymë populiste dhe nacionaliste që i bien mangureve të ksenofobisë. Gjithashtu nuk është e rastësisshme dhe zëdhënia e frymës ultra-kristiane prej partive europiane të spektrit të djathtë.

Përkundër frymës së Krishtit që hap krahët dhe i fton të huajt të vijnë dhe të gjejnë strehim tek Ai, ithtarët politikano-kristianë vijojnë të ndjekin logjikën e Pjetrit për nxjerrjen e shpatës nga milli…Një Europë e mbyllur kulturalisht,e brishtë ndaj çështjeve të sigurisë, e tkurrur ekonomikisht dhe ende e kapluar nga ethet e një nacionalizmi atavik.

Por a është kjo Europa që etërit e saj themelues dëshiruan dhe punuan me vullnet e përkushtim që të mishërohej?! A është kjo Atlantida e Re e mesianizmit politik europian?!

Et concludam, dëshiroj ta përmbyll këtë shkrim me fjalët lapidare të kancelarit Adenauer: “Europa gjendet sot përballë një rënieje, por ajo nuk mund të bëjë regres, ajo duhet të jetojë për ne, për europianët dhe për të tërë botën!”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet