Europa ka nevojë për Ballkanin

nga Caroline de Gruyter

Katërmbëdhjetë vende të BE nënshkruan këtë javë një letër për të nisur sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Katërmbëdhjetë vendet gjenden në Europën Qendrore dhe Lindore ose afër saj.

Letra e tyre u drejtohet kryesisht Holandës dhe Francës, të cilët thonë se Shkupi dhe Tirana nuk janë ende gati dhe se në vendet e tyre nuk ka “mbështetje” për zgjerimin në popull.

Këtu shohim në veprim dinamikën klasike të së ashtuquajturës “fuqi interstitale” (fuqi e ndërmjetme) – ose një superfuqi e cila është vendosur midis superfuqive të tjera dhe po sfidohet nga të gjitha anët. BE është një forcë e tillë, fuqi që po e shtyjnë nga të dyja anët. Vendet lindore të BE-së e shohin Rusinë dhe Turqinë, ashtu si në të kaluarën, tek tërheq vendet e Ballkanit në sferën e tyre të ndikimit. Nëse BE nuk i ofron Ballkanit një perspektivë, arsyetojnë ata, rajoni bëhet i paqëndrueshëm. Kështu lindin pastaj konfliktet. Kjo është e rrezikshme për BE. Vendet perëndimore të BE-së mendojnë se ky argument është i ekzagjeruar. Ata shohin kërcënime më të mëdha: një luftë tregtare me Amerikën; Brexit; sulme kibernetike; presionin e migracionit nga jugu; Aktivitetet ushtarake ruse dhe kineze në Arktik, për të dhënë disa shembuj.

Në librin e tij të fundit “Strategjia Madhore e Perandorisë së Habsburgut”, shkrimtari amerikan A. Wess Mitchell shkruan se historikisht shumica e “fuqive të shtrydhura mes fuqive të tjera” patën një jetëgjatësi të shkurtër dhe të trazuar: ata ishin të rrethuar nga armiq, por në të njëjtën kohë nuk kishin mjetet për t’i mposhtur ata, apo për të siguruar paqen. Kjo është pikërisht ajo që po shqetëson gjithnjë e më shumë Bashkimin Evropian, saqë “foleja e sigurt” e Aleancës Perëndimore po shpërbëhet.

Vetëm Perandoria e Habsburgëve arriti të mbijetojë, “si sanduice” me shekuj. Në kulmin e saj, kjo perandori shtrihej nga Spanja në Holandë, dhe nga Ukraina në Kroaci. Perandori Jozef I u ankua njëherë: “[Aleatët e mi] e dinë se sa e copëtuar është fuqia ime ushtarake, e fragmentuar në çdo cep të Evropës … [Ata e dinë] se si unë jam edhe në Hungari edhe Transilvani dhe sa e vështirë është për mua të formoj një ushtri për një kërcënim real që vjen nga Suedia, [ata e dinë] sa i dobët jam.”

Paralelet me Evropën e tashme, janë shumë të qarta. Si mundet që një shtet multietnik, kompleks me popuj gjermanë, hungarezë, italianë, slave, e të tjerë; aq i madh por edhe aq i ndarë për brenda, me probleme të përhershme financiare, të mbijetojë kaq gjatë në një mjedis të mbushur me konkurrentë të fortë? Pikërisht për shkak se Habsburgët se ishin gjithmonë të dobët, vëren Mitchell, ata gjithmonë u përpoqën të fitonin kohë. Kjo ishte strategjia e tyre: shtyrja e konflikteve dhe mundësisht shmangia krejtësisht e tyre. A tingëllon e njohur motoja “Po sajohemi, po ia dalin me mundësitë tona, “muddling through”? Habsburgët kishin një ushtri të vogël që funksiononte kryesisht për qëllime mbrojtëse. Për shkak se fqinjët, si Prusia, Rusia, Turqia dhe Franca gjithmonë përpiqeshin të ndanin popujt e Habsburgëve, perandori formoi aleanca me popujt në periferi të perandorisë së tij. Për shembull, ai krijoi një zonë mbrojtëse përgjatë kufirit të jashtëm dhe e përdortë shpesh atë për të luftuar konfliktet jashtë territorit habsburg. Habsburgët mbanin gjithashtu aleanca me disa fuqi të mëdha. Nëse Habsburgu haste vështirësi, atëherë mund të mbështetej në ndihmën e tyre. Këto aleatë kishin gjithnjë ushtri më të mëdha, më të forta se të Habsburgëve. Habsburgët humbën shpesh beteja, por rrallë luftëra.

Sipas Mitchell, punët shkuan keq me Habsburgun kur perandori Frans Jozef e braktisi këtë strategji nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ushtria u bë më e madhe, më sulmuese. Ai grindej me fqinjët. Edhe zonave mbrojtëse jashtë kufijëve të tij, u dha shumë pak vëmendje, kështu që edhe këto vende filluan ta mashtrojnë atë.

Le të aplikojmë logjikën e Habsburgëve, në këtë moment: kini kujdes se mbrojtësit përgjatë kufijve tanë të jashtëm të mos shndërrohen në skaje të pamenaxhueshme. Sipas Presidentit Tusk, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë “bërë gjithçka që kemi kërkuar”. Ata kanë nevojë për një perspektivë evropiane, përndryshe ato i mbështjell Rusia dhe Turqia.

Për Habsburgët një gjë u kthye në fatalitet, ajo ishte pakujdesia që treguan në Ballkan.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet