FT: Lidershipi i ri në BE ta zgjerojë lojën në politikën e jashtme

Ekipi i ri udhëheqës i BEsë që merr detyrën në Bruksel, e di se nëse politika e jashtme e përbashkët e bllokut është të imponojë respekt, në rradhë të parë duhet të ketë sukses me vendin fqinjë të Europës, sipas një artikulli të Tony Barber të botuar në gazetën britanike Financial Times.

”Kjo duhet të jetë e mirëplanifikuar, sa më e përbashkët, të ekzekutohet në mënyrë efikase dhe të përshkohet me një sens më të madh të strategjisë afatgjatë. Bazuar në këto aspekte, dy ngjarjet e fundit, njëra që ka lidhje me Ballkanin dhe tjetra me Sirinë, kanë qënë pak a shumë një dështim.

Çdo incident tregon paaftësinë e BEsë për të shndërruar peshën e saj të padyshimtë si një bllok komercial dhe rregullator në një fuqi të vështirë në skenën botërore. Nuk është vetëm çështje e mungesës së forcës ushtarake, edhe pse kjo është e rëndësishme. Problemi i vërtetë është se, sa herë që dy ose më shumë nga vendet më të mëdha të BEsë kanë mosmarrëveshje, një politikë e jashtme e përbashkët europiane, ose paralizohet ose bëhet çështje e gjetjes së numëruesit më të vogël të përbashkët midis 28 shteteve.

Një çështje e anashkaluar, është se këto mosmarrëveshje kanë tendencë të lindin nga tensionet e brendëshme politike në vende të veçanta, për shembull, mbi migracionin e parregullt ose qëndrimet ndaj Islamit ose Rusisë. Tensione të tilla pengojnë përpjekjet e qeverive për të gjetur interesat e përbashkëta me partnerët e tyre në BE. Në çdo rast, Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së zakonisht preferojnë të ruajë aftësinë për të siguruar lirinë e manovrimit atëherë kur iu duket e përshtatshme.

Ngjarjet në Siri përqendrohen tek Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila është kandidatja e preferuar e Angela Merkel për ta pasuar atë si kancelare gjermane. Kramp-Karrenbauer u emërua në korrik si ministre e Mbrojtjes, në një përpjekje të dukshme për të ngritur profilin e saj në lidhje me votuesit gjermanë. Megjithatë, propozimi i saj për krijimin e një zone shumëkombëshe të sigurisë në veri të Sirisë ishte befasuese për naivitetin dhe mungesën e saj të përgatitjes.

Para se të bënte publik planin e saj, Kramp-Karrenbauer, e cila zëvendësoi Merkel si drejtuese e Unionit Kristian demokrat në dhjetor përpara zgjedhjeve të vitit 2021, nuk u këshillua as me partnerët e saj të koalicionit Social demokrat, as NATO-n dhe as aleatët e BE-së. Propozimi i saj i ka anashkaluar pyetjet thelbësore, të tilla si, nëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së do ta mbështeste, nëse SHBA do të merrte pjesë dhe nëse forcat e pamjaftueshme të armatosura të Gjermanisë do të dërgonin ushtarë në Siri. Për secilën pyetje ishte e qartë se përgjigjja më e sigurt do të ishte “jo”.

Në të vërtetë, ishte e vështirë të thuhej se kush ishte më kundërshtues i kësaj iniciative, Rusia dhe Turqia, të cilat kontrollojnë ngjarjet në Siri, apo Heiko Maas, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, i cili është një koleg i Kramp-Karrenbauer. Në këtë mënyrë, plani nuk shërbeu për asnjë qëllim tjetër, përveçse për të pasqyruar mospërputhjet e politikës së jashtme të koalicionit gjerman, për të mos përmendur paaftësinë e BEsë në Siri.

Ky është një mendim serioz duke marrë parasysh faktin se mbërritja e një numri të madh refugjatësh të luftës nga Siria, nga zonat e tjera të konfliktit dhe migrantë të tjerë në vitin 2015, përshpejtuan një nga krizat më të rënda të BEsë, që nga Traktati i Romës në vitin 1957 që formoi bllokun.

Hapat e gabuar të BEsë në Ballkan nuk janë pak të dhimbshme për tu parë, por në këtë rast fajtori kryesor është Franca, jo Gjermania. Duke bllokuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, presidenti Emmanuel Macron shokoi dhe minoi një rajon, stabiliteti i të cilit është thelbësor për stabilitetin e kontinentit Europian. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, vendimi i Macron e bëri BE-në të dukej hipokrite. Kjo ndodhi sepse BE-ja kishte premtuar prej kohësh fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, me kusht që maqedonasit të bënin kompromis me Greqinë mbi çështjen e diskutueshëm të emrit vendit të tyre, një kusht ky i përmbushur në Marrëveshjen e Prespës, që hyri në fuqi shkurtin e kaluar.

Me paanshmëri ndaj Macron-it, nuk është i vetmi që ka dyshime për zgjerimin e BE-së në Europën juglindore. Danimarka dhe Holanda u bashkuan me Francën duke kundërshtuar fillimin bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë. Për më tepër, kur parlamenti Europian, miratoi javën e kaluar një rezolutë në favor të fillimit të bisedimeve me dy shtetet e Ballkanit, rreth 136 eurodeputetë, ose rreth një e katërta e atyre që votuan, mbështetën qëndrimin e Macron.

Gjithashtu, Macron mbështetet në një pikë ku sugjeron se BEja duhet të përqendrohet në reformat e brendshme përpara se të pranojë anëtarët e rinj. Projekti më i rëndësishëm i BEsë, Eurozona, e përbërë nga19 vende, mbetet një shtëpi gjysmë e ndërtuar.

Mungon një aksion më i gjerë efektiv i BEsë, në fusha si migracioni dhe politika të azilit. Megjithatë, Macron do të tingëllonte më bindës, por ekzistojnë zëra të vazhdueshme se qëllimi i vërtetë i Francës është t’i mbyllë derën e BEsë përgjithmonë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të kundërt, ata do të mashtrohen me anëtarësimin në Zonën Ekonomike Europiane, që do i mbajë ata jashtë institucioneve politike të BEsë dhe do i bëjë europianë të përhershëm të klasit të dytë.

Vështirësitë në Siri dhe Ballkan janë simptoma të një BEje të pasigurt për vendin e saj në botë dhe që vuan nga bashkëpunimi i pasuksesshëm frankogjerman. Por nëse BEja nuk mund t’i rregullojë këto në pragun e saj, ku mund ta bëjë tjetër?

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet