Forca e ''fuqisë së butë''. Vendet më të suksesshme dhe Shqipëria - nga Xhafer RAKIPLLARI

Franca është shteti më i fuqishëm në botë. Së paku, sa i përket fuqisë së butë. Sipas studimit të agjencisë së zëshme britanike të Marrëdhënieve me Publikun, Portland Communications, zgjedhja në presidencë e Emmanuel Macron-it e ka vendosur Francën në krye të Klasifikimit Botëror të Fuqisë së Butë (“Soft Power 30 Index”). Presidenti francez dhe qeveria e tij centriste kanë lënë pas Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Kanadanë për t’u ngjitur në vendin e parë në klasifikimin vjetor të fuqive të buta më të suksesshme në botë.

Çfarë është fuqia e butë?

Kur flitet për fuqinë e një vendi me siguri gjëja e parë që shkon ndër mend është fuqia ekonomike dhe ushtarake. Por fuqia e butë nuk duhet nënvlerësuar para një arme, madje ajo është një “armë” (me silenciator) e rëndësishme për rritjen e influencës globale të një vendi. Të mos keqkuptohemi me fjalën “e butë”. “Butësia” mund të jetë një mjet tejet efektiv për të fituar influencë e prestigj të lartë ndërkombëtar përmes inkurajimit të bashkëpunimeve dhe ndërtimit të marrëdhënieeve dhe rrjetëzimeve (networking).

Top 5

Rrjeti i gjerë diplomatik i Francës, pasuria kulturore, për të mos përmendur politikat bashkëpunuese dhe integruese të Macron-it (që studime të tilla i vlerësojnë shumë), kanë kontribuar në këtë vend të parë të “L’Hexagone” në “Soft Power 30 Index”.

Ndërkaq, SHBA-të kanë zbritur nga vendi i parë në të tretin. Kjo mund të jetë edhe si pasojë e politikës “America First” të presidentit Donald Trump, që sipas studimit të Portland Agency, “nuk është pritur mirë jashtë vendit dhe ka dëmtuar lidhjet me pjesën tjetër të botës.” Të tjerë janë edhe më të drejtpërdrejtë. “Sikundër e parashikova, Trump-i na dëmtoi”, cicëroi shkurt Joseph Nye, politologu amerikan që shpiku termin “fuqi e butë.”

Rënia e SHBA-ve në këtë klasifikim bazohet mbi ndryshimet e perceptimeve të publikut, jo fakteve (vëmendje te perceptimet, për rëndësinë e të cilave kemi folur më herët në këtë blog). SHBA-të nuk kanë rivale në arsimin e lartë, art e kulturë, apo edhe inovacione teknologjike. Siç e thekson edhe raporti, universitetet amerikane vazhdojnë të dominojnë renditjen botërore.

Britania e Madhe renditet e dyta në indeks, por është njëra nga katër vendet që kanë shënuar rënie në diplomaci të butë. Sipas Agjencisë kjo ka ardhur kryesisht prej BREXIT-it. “Është e vështirë të shohësh Britaninë të gëzojë të njëjtin prestigj në Evropë (dhe më gjerë) siç ka bërë para 22 Qershorit 2016”. Megjithatë, Britania vazhdon të ketë burimin më të besuar informativ në botë – BBC-në – dhe lulëzim në sektorët e kulturës, teknologjisë dhe arsimit.

Pesë fuqitë e buta më të suksesshme në botë mbeten të njëjtat si para dy vitesh (publikimi i parë i indeksit), por renditja e tyre ka ndryshuar. Gjermania, që është përballur me një valë të madhe emigracioni dhe disa sulme terroriste, ka zbritur një vend në renditje, pavarësisht se rezultati i saj është përmirësuar (ndoshta ngaqë Angela Merkel vazhdon të gëzojë besim të gjerë?). Kanadaja ka një pozicion të qëndrueshëm, por duhet të gjejë mënyra më krijuese për t’i bërë ballë lodhjes së publikut nga “efekti Trudeau”. Karizma e kryeministrit të ri nuk mund të zgjaste përgjithmonë.

softpowerranking2017

Fundlista

Hungaria, Brazili dhe Turqia renditen në fund të listës (mos harrojmë: është sërish një Top 30!). Pozita e Hungarisë si një xhevahir kulturor dhe historik europian po zvenitet nga agjenda nacionaliste, ç’ka sipas raportit, ka mbajtur larg nga vendi jo vetëm liderë botërorë, por edhe turistë.

Turqia ka marrë vlerësim më të ulët se dy vitet paraardhëse paçka se hapi dyert për të strehuar miliona refugjatë. Ndërsa Brazili, pavarësisht Lojërave Olimpike të Rios, ka zbritur plot pesë vend që nga shkarkimi i presidents Dilma Rousseff vitin e kaluar. Klasifikimi i Brazilit është goditur keqazi nga mungesa e stabilitetit politik dhe atij ekonomik.

Ylli në ngjitje

Vlen të theksohet se bazuar mbi këtë studim, fuqia e butë europiane po e merr veten, ajo e Amerikës së Veriut po ecën në kah të kundërt, ndërsa e Azisë po rritet ndjeshëm. Kina është përmirësuar me 10 vende në renditje sepse është treguar e zonja për të shfrytëzuar mjegullinë e SHBA-ve në lidershipin global.

Fuqia e butë është “njerëzore”

Fuqia po largohet gjithnjë e më shumë nga institucionet tradicionale, si qeveritë, dhe po shkon kah qytetet, koorporatat multinacionale, madje dhe individët, thekson raporti. Kjo për shkak të revolucionit digjital, që thuajse ka fshirë kufijtë duke krijuar mundësi (dhe sfida) të barabarta për të gjithë.

Rëndësia e fuqisë së butë

Shkurt dhe shqip: liderët globalë marrin vendime për politikat e jashtme bazuar mbi perceptimet e tyre për vendet e tjera. Shihni, për shembull, sesi Kina është bërë flamurtare e çështjeve mjedisore pas daljes së SHBA-ve nga Marrëveshja e Parisit.

Ky i Portland Comm. e studime të ngjashme, vlerësojnë perceptimet ndaj vendeve duke përfshirë qeverinë, politikën e jashtme, kulturën, gastronominë, angazhimin digjital, kapacitetin për risi ekonomike e teknologjike, tërheqjen e turistëve dhe studentëve të huaj, etj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet