Frika si mjet kontrolli, përndjekja (Stalking) - nga Doriana METOLLARI

hqiptarët kanë jetuar në një sistem të mbyllur, për më shumë diktatorial, dhe akoma të keq për 50 vite me radhë. Një sistem që gjithsesi rriti nivelin e të drejtave të grave shqiptare, brenda parametrave të komunizmit, duke i dhënë barazinë me seksin e kundërt. Por siç thotë një miku im psikolog ca gjëra ngelen në ajër.

Frika si mjet kontrolli ekziston akoma.

Një frikë e cila është zëvendësuar dikur me Zotin. Diktatura i hoqi Zotin dhe boshllëkun e mbushi me frikë, që i veshi pastaj petkun e dashurisë për partinë. Tani ta lëmë mënjanë këtë. Dua të ndalem tëk gratë.

Pozicioni i gruas shqiptare është tejet i denigruar. Jo pak raste kam dëgjuar të rinj që rrinë tërë ditën e ditës trotuarave dhe shajnë vajza, që u kalojnë afër. Po, po i shajnë pa asnjë shkak. Vepër e dënueshme me ligj, ta fyesh tjetrin në publik. Por le të themi se kjo është mbi të gjitha një formë kontrolli ndaj femrës, me shumë sesa formë vepruese. Të flasësh e të bësh janë dy gjëra të ndryshme. Është ulëritëse. Por le të themi se është shtresa më e ulët e shoqërisë. Ka një shtresë tjetër e cila po ashtu përdor frikën si mjet kontrolli, jo vetëm me gratë kuptohet, por me gratë është edhe më e dënueshme. Flasim për 'Përndjekjen', e cila në anglisht quhet 'Stalking'.

Është fakt që Kryeministri Edi Rama e ka prioritet rolin e gruas në vendimmarrje, por nuk e di nëse kjo është inisiativë e tij personale, apo e programit të Rilindjes.

Imagjinojeni veten në një dhomë të mbyllur, pa dritë. Dikush që nuk e njihni e nuk e shihni ju flet. Çfarë ndodh? Ju trembeni apo jo? Tani imagjinojeni veten nëse kjo ndodh me dikë që ju e dini se është pas jush, s'ka rëndësi si. Ju ndjeheni të vëzhguar, të kontrolluar. Kjo gjë përseritet, çdo ditë. Dhe ndjenja e vëzhgimit bëhet instinktive.

Mirë, tani imagjinojeni sikur ky person ka pushtet.

Kjo ka ndodhur jo në pak raste në Shqipëri. Njerëz me pushtet përndjekin, kategori të ndryshme femrash. Imagjinojeni çfarë impakti mund të ketë kjo në të përditshme, sa mund të kufizojë jetën e dikujt. Shoqëria shqiptare është e mbyllur dhe përjashtuese në përgjithsi. Shoqëria shqiptare është dhe më paragjykuese ndaj kujtdo. Një person i cili nuk ka një bazë të mirë karakteriale ndjehet i ç'ekuilibruar.

Çfarë ndodh? Si fillim tek njeriu fillojnë e lindin dyshime? Çfarë kam bërë gabim? Sikur e drejta për të jetuar të lirë të ishte në dorën e dikujt tjetër, jo të ligjit. Pra e para është mungesa e njohjes me të drejtat themelore të njeriut dhe jo vetëm mungesa e njohjes, por mbi të gjitha vetëdija për to. E dyta, ajo që ndodh, citoj këtu sigurisht miq të mi psikologë, është rritja e nivelit të ankthit dhe pafuqishmërisë përballë tjetrit i cili është ai që duhet të ndjehet edhe më në faj.

Por si vepron personi tjetër?

Stalking (përndjekja) është një vepër penale, e vështirë për t'u identifikuar. Si fillim është e vështirë të provohet, sepse nuk ka denoncim në polici, apo vepër penale, pa elementin bazë, 'veprimin'. Prandaj njeriu i akuzuar në këtë rast ka në dorë vetëm psikologjinë e tjetrit. Aty përqëndrohet e gjithë loja. Lufta psikologjike. Krijohet ideja e gabuar se personi do të mbrohet nga Ligji dhe nga Shteti. Pra gabimi i parë është dhënia e fuqive që nuk i ka. Ky mekanizëm ndizet në menyrë automate, thotë A. një psikologe italiane. E dyta është forma me të cilën vepron tjetri, dhe këto janë disa:

1. Ai do të jetë gjithmonë i kujdesshëm që të ketë një alibi të dyfishtë. Asnjë veprim i tij nuk do të jetë i pambuluar nga një arsye e zakonshme, e ligjshme dhe normale. Kjo i bën shpesh herë viktimat e stalking të duken anormale. Si? Çfarë ndodhi? Ai nuk kishte gjë me ty, po kalonte ose ndodhej aty rastësisht.

2. Ai do të jetë i kujdesshëm që kurrë të mos veprojë, sidomos në publik. Në fakt mund të mos jetë farë në interesin e tij. Thjesht do të jetë pranë, ose të duket sikur mund të të frikësojë.

3. Nëse është njeri me pushtet mund të ketë në dorë mjetet publike. Kjo është akoma më e frikshme, për arsye se viktima do të ndjehet e vetme përballe Shtetit. Pra luftë më mullinjtë e erës.

4. Ai mund të mos ndalet, dhe në këtë rast është mania e pushtetit, fakti që mund të ketë në dorë qetësinë e dikujt, e bën të ndjehet mirë me veten. Efekti që bën pushteti është ky. I ditur botërisht.

5. Ai e di se një femër shqiptare nuk do të flasë kurrë për këto gjëra, pikërisht sepse njeh paragjykimin e shoqërisë shqiptare. Betejat e gjata e të lodhshme etj etj.

Se çfarë ndodh në psikologjinë e individit sigurisht nuk është e lëhtë ta kuptojnë dhe psikologët, por ka disa forma me të cilat mund të luftohet. E para dhe mënyra më imediate është shkëputja e të gjitha varësive psikologjike ndërmjet me situatën. Ajo që ti ndjen e lejon të ndodhë. E dyta, të mos mendosh se kjo është një betejë e cila mund të përballohet vetëm. Miqtë? Absolutisht po. Kolegë? Absolutisht duhen. Të njohur? Duhet të vihen në dijeni. Janë të gjithë njerëz që e shohin situatën nga jashtë, pra më mirë se ti.

E treta dhe më e rëndësishme është transformimi i frikës. Kujtoni se në bazë të kësaj qëndron frika. Ky ka qenë mjeti i kontrollit gjithmonë. Kjo është dhe sot. Me këtë sigurisht nuk dua të them se frika nuk duhet të ekzistojë, sepse ndryshe nuk do të ishim njerëz. Por kur pushteti i saj e kalon masën atëherë është koha ti vihet një kurorë me lule. Kjo do të thotë, ta transformosh brenda teje, në diçka tjeter. Mund dhe ti vësh maske kllouni, s'ka rëndësi. Qesh, është proçes në vetvete. Filofozi gati-gati. Frika nuk është gjë tjetër vetëm diçka që ti ia ke dhënë dikujt tjetër, apo dikush e ka marrë me lejen tende. Po flas pikërisht për këtë, të mos ia japësh më.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Ina Kosturi   e Shtunë 6 Janar, 2018

    Po per ato qe pengojne haha ku eshte vendi ?